Rriten çmimet, konsumatorët ndihen të kërcënuar
Kriza ekonomike që ka mbërthyer vendin, ka rritur koston e jetesës në qytetin e Kukësit. Konsumatorët ndjehen të pafuqishëm dhe të kërcënuar nga pamundësia për të blerë artikujt jetikë. Vetëm për dy muajt e fundit, një pjesë e artikujve të konsumit të përditshëm janë shtrenjtuar deri 120%, duke shënuar jo thjesht rekorde në këtë aspekt, por edhe kufijtë e frikës për familjarët, një pjesë e të cilëve mbijetojnë me ndihmë ekonomike nga shteti, ndërsa një pjesë gjithnjë e më e vogël me ndihma nga emigracioni. Për pasojë, pazari ushqimor dhe ai fruta-perimeve në Kukës e ka humbur gjallërinë që ka pasur të paktën deri në prag të vitit të ri, ku çmimet ruanin njëfarë stabiliteti. I vetmi treg ku ende gjen blerës është ai i këpucëve dhe veshjeve të përdorura. Në anekset e tregut ushqimor, një numër tezgash janë mbyllur, ndërsa shitësit rrinë e presin, ndërsa reduktojnë me kujdes mallin e kalbur nga vjetërsia. “Nuk blejnë më si më parë, u duket çmimi i shtrenjtë dhe po na kalbet malli i pashitur”, thotë një tregtar i perimeve, i cili në tezgat e veta ka vënë nga një arkë nga të gjitha perimet. “Vijnë dhe pyesin sa bën një kilogramë patate, sa bën një kilogramë presh dhe kur ua them çmimin, mërmërisin mes dhëmbëve dhe largohen më tutje”, tregon një shitës tjetër.
Amvisat tregojnë se janë shumë të shqetësuara për çmimet e rritura, tej mundësisë së tyre për të blerë produktet bazë për një drekë për familjen. Një nënë e 5 fëmijëve nga lagjja 3, e papunë, thotë se rroga e burrit nuk i mjafton për të ushqyer fëmijët as edhe për 15 ditë me ushqime bazë. “Ja, e shikon 1800 një kilogramë presh, 1200 lekë një kilogramë gjizë... Shkurt na ka ardhur laku në fyt, kot dal në pazar, edhe me 10 mijë lekë nuk bën dot një drekë”, thotë ajo duke treguar disa artikuj në çantë. Gruaja mallkon politikën që, siç tha, nuk po lejon vendin të marrë frymë, nuk po çel vende të reja pune. Një amvisë tjetër, duke e hedhur fjalën te çmimet, tregon se edhe kafja është rritur 20% që nga janari i këtij viti. “Një pako kafe nuk na shkon më shumë se dy ditë në shtëpi, sepse jemi shumë persona që e konsumojmë”, thotë ajo me një ton sikur të fliste për artikull luksi. Këta njerëz të thjeshtë shumë rrallë i sheh të kthehen nga pazari me fruta.