Ndalohet grabitësi i grave te spitali Nënë Tereza
Pranga grabitësit të dhunshëm të spitaleve, i cili ishte kthyer në shqetësim për të afërmit e pacientëve. Policia e Tiranës ka mundur ta identifikojë dhe ta vendosë në pranga këtë person, që vetëm dy ditë më parë i vodhi varësen e floririt një gruaje, duke e goditur në fytyrë. Ngjarja në fjalë ka ndodhur dy ditë më parë në ambientet e spitalit “Nënë Tereza”, ndërkohë që ditën e djeshme është vënë në pranga i dyshuari Altin Sejdo. Burimet e policisë së kryeqytetit bënë të ditur se nga shërbimet e Komisariatit Nr.4 u bë i mundur arrestimi i 32-vjeçarit të lartpërmendur, i cili është njohur edhe nga gruaja e dhunuar. Sipas hetimeve të grupit të punës, ky person, në ambientet e spitalit “Nënë Tereza” ka kryer vjedhjen me dhunë të një gruaje. Ajo ka qenë me një pacient dhe kur ka dalë për të blerë diçka për të afërmin e saj, është përballur me grabitësin, i cili e ka goditur në fytyrë dhe i ka tërhequr varësen, duke u larguar me shpejtësi. Ajo ka kërkuar ndihmë, duke bërtitur, por ai është larguar shumë shpejt, duke kaluar për nga Spitali nr. 5, ku ka humbur gjurmët. Nga puna e bërë rezultoi se Altin Sejdo është autor i dyshuar edhe i vjedhjes me dhunë të një gruaje tjetër, të cilës po në këtë ambient i ka vjedhur një varëse floriri. Materialet në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.
#