E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hena Cocteil, në kërkim të talenteve të reja

Varieteja Mbahen sot dhe nesër audicionet në Akademinë e Arteve

Sot dhe nesër, në sallën “Black Box” të Akademisë së Arteve mbahen audicione në kërkim të talenteve të reja në gjinitë e aktrimit, humorit, këngës dhe baletit. Do të jenë pikërisht këto talente të reja që do të bëhen pjesë e kompanisë së re të varietesë shqiptare “Hena Coctail”. Kjo variete, të cilën organizatorët e kanë menduar si një strukturë të trajnimit dhe prodhimit artistik, do të ketë studio të sajat, ndërkohë që një staf profesionistësh do të bashkëpunojnë me talentet e reja. “Duke u bazuar në eksperiencën më të mirë europiane të shkollave të spektaklit ku punohet seriozisht me talentin, menduam të hapim një institucion të ngjashëm për trajnimin dhe përgatitjen e talenteve të reja, përgatitje e cila nuk mësohet aktualisht në sistemet shkollore klasike. Qëllimi kryesor është jo vetëm krijimi i një trupe profesioniste e përbërë nga humoristë, këngëtarë e balerinë, por do t’u ofrojë talenteve të reja mundësinë e interpretimit në skenë dhe në ekranin televiziv”, shprehet Gjergj Leka, i cili për materialet e shkruara ka bashkëpunuar me humoristin Koço Devole. Nga audicionet do të përzgjidhen 5 aktorë, katër balerinë, katër këngëtarë dhe tetë instrumentistë, të cilët do të përgatisin shfaqjen e parë variete përkrah artisteve të ftuar profesionistë. Kjo shfaqje pritet të realizohet në ditët e para të shtatorit.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›