Rriten importet e mallrave me akcizë
Importi i cigareve, birrës, karburanteve ka pësuar një rritje të konsiderueshme gjatë këtyre 8-muajve. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, doganimi i mallrave me akcizë ka zënë një vend të rëndësishëm në të ardhurat e 8-mujorit. Konkretisht, vetëm gjatë muajit gusht 2008 doganat kanë arkëtuar 9 miliardë e 770 milionë lekë, krahasuar me 9 miliardë e 667 milionë lekë që ishte plani i rishikuar nga Ministria e Financave, me një tejkalim prej 103 milionë lekë më shumë se plani. Plani fillestar për muajin gusht ishte 8 miliardë e 760 milionë lekë. Gjatë kësaj periudhe janar–gusht 2008 janë zhdoganuar 262 mijë e 784 mijë ton, karburante me një rritje prej 2 mijë 312 ton më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ose 1 % më shumë. Kafe janë zhdoganuar 4 mijë e 71 ton, me një rritje prej 89 ton më shumë se 8-mujori 2007, ose 2 % më shumë. Të dhënat tregojnë se konsumi i cigares në Shqipëri sa vjen dhe rritet. Sipas doganave, gjatë kësaj periudhe janë zhdoganuar 2 mijë e 616 ton cigare, me një rritje prej 538 ton më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ose 26 % më shumë.