E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitalet, 26 milionë euro ilaçe stok

Paradokset në shëndetësi nuk kanë të sosur. Ndërsa të gjithë spitalet e vendit janë përfshirë nga një krizë e thellë ilaçesh, miliona euro janë hedhur dëm. 

ZIRINA LLAMBRO

Vlera e stokut të medikamenteve i "zbuluar" së fundmi nga ministria arrin në 26 milionë euro, të depozituara në magazinat e të gjithë spitaleve. Këto barna nuk do të mund t'u vijnë në ndihmë as pacientëve e as drejtuesve, pasi pjesa më e madhe e tyre ka skaduar. Një pjesë e mirë e tyre janë gjetur edhe në spitalin "Nënë Tereza", më i lakuari për mungesat e mëdha. Burime nga ky spital pohuan se, janë bërë blerje të panevojshme, që i kanë shkaktuar dëme financiare kolosale në  shëndetësi. Për të saktësuar mirë çka ka ndodhur një grup auditi do të nisë të hënën një kontroll të imtësishëm në QSUT. Auditi do të shqyrtojë të gjithë dokumentacionin, blerjet dhe procedurat tenderiale për periudhën kur në krye të spitalit ishte Mati Pepa. Ky kontroll vjen pas një kërkese të drejtores, Gjeorgjina Kuli dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Nga monitorimi paraprak janë vënë re një sërë abuzimesh, duke nisur që nga furnizimi me medikamentet, fryrja e administratës e deri tek procedurat e tenderave. "Do të jetë një grup auditi që do të vlerësojë më mirë situatën. Për të qenë sa më transparentë ne kemi kërkuar vetë një gjë të tillë. Deri sa të jepet një raport i plotë nuk mund të thuhet asgjë me siguri", ka deklaruar drejtoresha e QSU, Gjeorgjina Kuli. Ajo ka nënvizuar se, tashmë kanë filluar të gjitha operacionet, ndërkohë që në javët në vazhdim do të bëhet furnizimi total me medikamente i QSUT-së. "Mendoj që furnizimi normal do të nisë në javët në vazhdim sepse tenderat janë zhvilluar dhe janë firmosur kontratat me firmat farmaceutike", është shprehur Kuli. Por javët në vazhdim nuk janë një afat i saktë për të gjithë ata pacientë që kanë nevojë për ilaçe. Burime nga QSU-ja bëjnë me dije se, tenderi i laboratorit me fond 600 milionë lekë, prej të cilit do të niste furnizimi me kite dhe reagente i laboratorit është anuluar nga APP. Çka do të thotë se pjesa më e madhe e analizave do të vijojë të mos kryhet edhe për ca kohë në QSU.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›