Rriten importet shqiptare me Turqinë
Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Turqinë shënuan rritje gjatë 10-mujorit të vitit 2007, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2006. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, vlera e importeve kap shifrën 22 miliardë e 606 milionë lekë, ndërsa e eksporteve 1 miliard e 959 milionë lekë. Struktura e importeve përfaqësohet nga sektori i mineraleve, konfeksioneve dhe veshjeve, materiale druri, metaleve, si gizë, çelik, tela bakri, profile alumini, makineri e pajisje etj. Ndërsa eksportet drejt Turqisë janë kryesisht prodhime druri. Turqia është një nga partnerët e rëndësishme tregtarë të vendit tonë, ndërkohë që në listën e importeve vazhdon të kryesojë Italia, ndërsa në vendin e dytë është Greqia. Gjermania është vendi i tretë për importet shqiptare, ndërkohë që Kina dhe Turqia konkurrojnë për vendin e katërt.