Pavarësia, ndarja dhe konflikti i ngrirë
Gjatë vitit të kaluar, mes zgjidhjeve të mundshme që u përmendën për Kosovën, kanë qenë edhe pavarësia, ndarja e "konflikti i ngrirë".
Në pamje të parë, duket se të tria opsionet ndryshojnë në mënyrë radikale dhe se në thelb e përjashtojnë reciprokisht njëra tjetrën. Por tani, duket se skenari më i mirë për vitin e ardhshëm i përfshin të tria.
Përkundër kundërshtimit të fortë të serbëve (të nxitur dhe mbështetur nga Rusia), tani duket e qartë se shqiptarët e Kosovës, nën drejtimin e Hashim Thaçit dhe me konsultime të ngushta me SHBA-të e lojtarë të tjerë kryesorë të BE-së, gjatë dy muajve të ardhshëm do të fillojnë procesin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë. Koha e saktë varet, nga fakti nëse javën e ardhshme do të caktohet ndonjë datë për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale serbe. Nëse ndodh kjo, procesi do të shtyhet deri sa të përfundojnë zgjedhjet. Nëse të tilla (zgjedhje) nuk do të ketë, procesi do të fillojë më parë.
Them procesi, pasi është menduar që shpallja të mos jetë një ngjarje specifike, por një seri masash e veprimesh, që do të ndodhin gjatë disa muajve të ardhshëm.
Njëri prej shkaqeve është të minimizohet reagimi armiqësor i Serbisë.
Shkaku i dytë është që të mundësohet zbatimi i elementëve të planit të Ahtisarit dhe që të tregohet mbështetja e fortë e qeverisë për të gjitha elementët e këtij plani.
Serbët nuk do të besojnë asnjë sekondë në sinqeritetin e këtyre premtimeve. Kjo do të jetë më se e qartë, por shqiptarët e Kosovës e dinë mjaft mirë, se duhet të tregojnë në mënyrë të qëndrueshme vullnet të mirë për këtë çështje, sepse është pjesë e rëndësishme e vlerësimeve, që bëjnë të mundur marrjen e mbështetjes së shumicës së vendeve të BE-së, për njohjen e deklaratës së ardhshme të njëanshme për pavarësinë e Kosovës.
Ashtu siç ishte edhe shtyrja e veprimeve të njëanshme dhe kalimi nëpër procesin e bisedimeve të "Treshes", për të cilin të gjithë e kanë ditur se do të jetë pa rezultat.
Shqiptarët e Kosovës, flasin vazhdimisht se nuk duhet të bëjnë asnjë hap të gabuar, deri sa ky proces të zhvillohet dhe se duhet të frenohen për t‘ju përgjigjur çfarëdo provokacioni.
Me siguri do të matet çdo fjalë e fakt, të cilin do ta ndërmarrë qeveria e Kosovës pas formimit të saj, duke përfshirë edhe gjuhën e paqme ndaj serbëve e pakicave të tjera.
Megjithëse në kuadër të BE-së, tani ka një koalicion të vullnetit, që do ta nisë këtë rrugë, ajo është e brishtë.
Përkundër retorikës kundërshtuese, pushteti serb e di mirë se procesi i pavarësisë po vjen. Hapi i sigurtë që do ndërmerret, është se as qeveria serbe, as serbët e Kosovës, nuk do ta pranojnë deklaratën e pavarësisë.
Edhe njëra ashtu dhe të tjerët do të ndërmarrin menjëherë hapat për ta shpallur qëndrimin e vet, se Kosova është e do të jetë pjesë e Serbisë.
Atë që tregon ky veprim, është se me siguri në mënyrë të ngjashme si në Kroaci e Bosnjë në vitin 1990 e 1991, serbët e Kosovës do të hedhin poshtë pushtetin e qeverisë së Kosovës mbi zonat serbe.
Për dallim nga situata në Kroaci e Bosnjë, ata nuk do të vendosin qeveri të pavarur, por në mënyrë të dukshme do të përforcojnë lidhjet e veta me Serbinë. Me fjalë të tjera, këtu shikojmë një formë ndarje.
Me bojkotimin e zgjedhjeve në Kosovë, serbët kanë humbur kontrollin mbi pesë komuna në të cilat janë shumicë. Me mosgatishmërinë e vet për të pranuar rezultatet e këtyre zgjedhjeve, UNMIK, KFOR e OSBE kanë treguar se duan të shmangin konfrontimin me serbët e Kosovës. Ky është një sinjal i qartë se si do të reagojnë ata ndaj ndarjes.
"Skenari më i mirë" i SHBA-ve dhe BE-së pas pavarësisë, është që mënyra e sjelljes së serbëve në enklava të mos jetë provokative e agresive, dhe me këtë duhet të merren bashkësia ndërkombëtare dhe qeveria e re e Kosovës.
Me fjalë të tjera, ata presin një variant të "konfliktit të ngrirë".
Sipas këtij skenari, zonat e ndara me kalimin e kohës do ta humbin fuqinë, duke u bërë të dobishme për afrimin e Kosovës me BE. Megjithëse kjo mund të jetë shumë e vështirë, do të jetë njëra prej detyrave kryesore të përfaqësuesit të ri, që do të emërojë BE-ja. Zakonisht, vendosjen e "fuqisë së butë", BE-ja do ta shfrytëzojë edhe në Serbi edhe në enklavat e ndara. Ka një problem të madh me këtë skenar, që është reagimi serb.
Nëse dikush dëshiron ta kuptojë se shumë serbë, përfshirë edhe Kryeministrin Koshtunica, e shohin Kosovën duke menduar, se si do të ndiheshin ndonjë nënë ose baba, nëse atyre autoritetet do t‘u thoshin se ndonjërin nga fëmijët do t‘ua merrnin.
E parë në këtë këndvështrim, bëhet më e lehtë për të kuptuar se pse apeli për mirëkuptim, pragmatizëm dhe oferta të ndryshme "karotash" nuk kanë qenë të suksesshme, madje kanë qenë kundraproduktive.
Kjo gjithashtu sqaron, se pse reagimi ndaj pavarësisë do të jetë jashtëzakonisht i fortë, edhe pse çmimi i këtyre veprimeve për Serbinë dhe serbët e Kosovës do të jetë mjaft i lartë.
Kjo do të thotë se është shumë pak e besueshme, që kjo strategji e lejimit të këtij lloj konflikti të ngrirë, në thelb do të jetë e suksesshme.
Para së gjithash, kurrë nuk duhet të harrohet mundësia e madhe, e akteve të planifikuara e të pa bazuara të dhunës së personave ose grupeve të vogla nga cilido etnitet.
Trazirat në mars 2004, filluan me vrasjen e një serbi të Kosovës në makinë, duke kaluar më pas në vrasjen e tre fëmijëve shqiptarë në të njëjtën zonë.
Së dyti, Kryeministri dhe shumë serbë të tjerë nuk do të donin që "skenari më i mirë" të funksionojë, pasi kjo do të thotë se e kanë humbur Kosovën. Prandaj, me duket se është e pashmangshme, që në vend të "ndarjes së butë", siç do ta donte bashkësia ndërkombëtare, serbët do të bënin ndarjen e fortë dhe të përhershme. Atëherë do të jetë problem, reagimi i KFOR-it, i bashkësisë ndërkombëtare dhe i shqiptarëve të Kosovës.
Njëkohësisht, qeveria serbe do të ndërmarrë padyshim edhe hapa të tjerë, që do ta vështirësojnë jetën e përditshme në Kosovë, edhe pse kjo do të thotë rritje e vështirësisë për disa serbë të Kosovës.
Shembulli klasik është bllokimi i deritanishëm i përtëritjes së misionit të OSBE-së në Kosovë nga Serbia. Besohet se detyra më e rëndësishme që do të ketë OSBE në Kosovë është kontrolli i shkallës së decentralizimit dhe trajtimi i pakicave.
Prandaj ka rëndësi të madhe prania e tyre për serbët e Kosovës. Bllokimi i kësaj pranie është vetëplagosje, jo vetëm për shkak të ndikimit në Kosovë, por dhe për shkak të impresionit që vendos mbi shumicën e vendeve anëtare të OSBE-së.
Si përfundim, është e vështirë të shihet se si edhe ky "skenar më i mirë", të mund të zhvillohet dhe njëkohësisht të mos e destabilizojë plotësisht skenën politike serbe.
Duke pasur parasysh qëllimet dhe interesat e kundërta të koalicionit qeverisës, është vështirë të shihet se si ai mund t‘i mbijetojë presionit të pashmangshëm, për të ndërmarrë masa të forta për shpagim.
Është po ashtu gabim i madh, të nënvleftësohet forca e "inatit" serb. Ata mund ta dinë mirë, se ndonjëri prej veprimeve të tyre, do të dëmtojë më shumë veten se tjerët, por kjo nuk do të thotë se ata nuk do ta ndërmarrin atë.