E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten kreditë e këqija, arrijnë në 11, 8 për qind

20/04/2010 Pavarësisht normës, sistemi bankar është i sigurt. Flasin ekspertët

Sa herë që ekspertët flasin për kreditë problematike, ata duan që të sqarojnë se jo të gjitha këto përfundojnë në kredi të këqija, pra që nuk mund ti kthehen mbrapsht bankës. Qëllon që në një fazë të caktuar një kredimarrje ka performancë negative, por me kalimin e kohës përmirësohet dhe vjen në parametrat normale, duke dalë nga lista problematike. Gerond Ziu, përgjegjës i zyrës për mbikëqyrjen e bankave sistemike në sektorin e mbikëqyrjes së rrezikut të kredisë pranë Bankës së Shqipërisë, jep për Deutsche Wellen treguesin më të fundit zyrtar për kreditë problematike. Nga të dhënat që i referohen fundit të shkurtit të këtij viti, këto kredi problematike janë 11.8 për qind e portofolit total të kredive. Sipas Ziut, “në fundin e vitit 2009 kjo shifër ka qenë 10.5 për qind, ndërkohë që në fund të vitit 2008 kjo shifër ka qenë 6.6 për qind”. Pra, vetëm duke lexuar shifrat zyrtare kupton se nga koha e fillimit të krizës globale e deri më sot, numri i kredive problematike në Shqipëri gati është dyfishuar. Kurse nga fundi i vitit 2009 e në vijim ka një rritje fare të lehtë, si një shenjë e frenimit të fenomenit. Arritjen tek ky nivel Gerond Ziu nga Banka e Shqipërisë e shpjegon me disa arsye. “Ka qenë fillimisht kriza globale, e cila ka dhënë efekte dhe në Shqipëri, duke filluar nga fundi i vitit 2008 dhe gjatë vitit 2009, sidomos në fillim të 2009-ës. Është ngadalësimi i nivelit të kreditimit nga bankat si pasojë e shtrëngimit të situatës së likuiditetit. Njëkohësisht përveç faktorit të ofertës, që në këtë rast janë bankat, duhet thënë së është dhe rënia e faktorit të kërkesës, duke qenë se shumë kredimarrësve ju është dashur të rishikojnë planet e tyre të investimeve për ti shtyrë në një kohë të dytë". Sipas Gerond Ziut, në thelb të procesit të mbikëqyrjes bankare nuk është treguesi i kreditimit problematik, por është norma e mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat. Sistemi bankar në Shqipëri e ka këtë tregues më të lartë se në vendet e BE-së. Pra, nëse në Shqipëri norma e mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat është rreth 12 për qind në vendet e BE-së kjo është tek 8 për qind. Nga kjo anë sistemi bankar shqiptar, sipas ekspertëve, jep siguri për vijueshmërinë e punës pavarësisht nga prezenca e kredive problematike. “Gjithashtu në këtë periudhë për filialet e bankave të huaja që operojnë në Shqipëri, bankat mëmë kanë qenë të gatshme që të mbështesin me kapital aktivitetin e tyre, njëkohësisht për ti mbështetur dhe me likuiditet”, thekson Ziu. Këtë mendim ndan dhe biznesmeni Luan Bregasi, i cili për shumë vite ka drejtuar Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë. “Bankat aktualisht japin siguri dhe janë të mbrojtura”, thotë Bregasi. “Sepse në Shqipëri ndryshe nga vendet e tjera kreditë janë gati një e treta e aseteve të palëvizshme që biznesi ka vënë si garanci për kreditë që ka marrë. Përveç rivlerësimeve që ndodhin për shkak të natyrës që kanë pasuritë e paluajtshme unë mendoj se ato janë dhënë me këtë ide që bankat të jenë super të garantuara”. Sa i takon trajtimit të kredive problematike Luan Bregasi e shikon këtë si përgjegjësi të përbashkët të tre aktorëve kryesorë: klientëve, bankave, por dhe shtetit. Shifra prej 11.8 për qind e kredive problematike në Shqipëri paraqitet më e lartë se në vendet e tjera të rajonit. Në Maqedoni kjo shifër është 8 për qind, në Malin e Zi 9 për qind dhe në Serbi 10 për qind. Por Gerond Ziu në Bankën e Shqipërisë mendon se kjo është një çështje relative “që varet nga zhvillimi ekonomik dhe sistemi bankar i çdo vendi, ndaj dhe nuk mund të themi që këta tregues janë plotësisht të krahasueshëm”.

Banka e Shqipërisë

Para pak ditësh, guvernatori i Bankës Kombëtare, Ardian Fullani, ka prekur dhe problemin e kredive problematike. “Bankat duhet të identifikojnë klientët me probleme të përkohshme dhe të kapërcyeshme dhe të ndërtojnë politika që ofrojnë mbështetje për këta klientë, në këmbim të shtimit të elementëve që mbrojnë bankën prej rrezikut të këtyre kredive në të ardhmen. Për klientët që i vlerësojnë me një mundësi të ulët të pagesës së detyrimit të kredisë, bankat duhet të ndjekin pa hezitim procedurat për ekzekutimin e garancive dhe të formave të tjera të kolateralëve, për rikuperimin e një vlere sa më të madhe të kredisë. E gjithë vendimmarrja në këtë proces duhet të jetë e qartë dhe e dokumentuar dhe duhet të ketë si bazë analizën e strukturave të specializuara të bankës”,- ka deklaruar guvernatori Fullani.

Kreditimi i biznesit

“Sektori bankar duhet të synojë një rigjallërim gradual të kreditimit, duke kontrolluar cilësinë e kredisë. Rigjallërimi i kreditimit është një zhvillim i dëshiruar, por kjo duhet të realizohet mbi bazën e një analize të kujdesshme, duke ndjekur me vëmendje ecurinë e cilësisë së kreditimit”, thuhet në raportin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Në këtë kuadër nga ana e Bankës së Shqipërisë vlerësohet që përkeqësimi i cilësisë së kredisë do të shënojë vlerën më të lartë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010 dhe do të stabilizohet në gjysmën e dytë të tij. Një përmirësim gradual, por i qëndrueshëm i këtij treguesi, pritet të shfaqet në vitin 2011. Lidhur me kreditimin e bizneseve Banka bën thirrje për një kreditim më të madh të biznesit të vogël dhe të mesëm.

Interesat e kredive

Një raport i fundit i Bankës Botërore, i publikuar vetëm pak ditë më parë, dëshmon se interesat e kredive në Shqipëri janë më të lartat në rajon. Sipas raportit të titulluar “Ndërtimi i Konkurrencës në Shqipëri”, thuhet se kostoja e kredive në Shqipëri është më e larta në Evropën Qendrore dhe atë Lindore. Shifrat e publikuara në këtë raport tregojnë se në normat e interesit në Shqipëri arrijnë në 14.1 për qind, pra shumë të larta se vendet e tjera të monitoruara nga BB. Në vendet e Evropës Juglindore, rezulton se norma e interesit të kredive është në masën 9.8 për qind, në vendet e Evropës Qendrore kjo normë është 6.9 për qind, ndërsa në vendet baltike vlera e saj arrin në 8.1 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›