Rriten kreditë, por shkojnë kryesisht për kapital qarkullues
Stoku i kredisë për ekonominë shqiptare u rrit me 4 miliardë lekë, (rreth 31 milionë euro) në muajin gusht në krahasim me korrikun, kryesisht si pasojë e rritjes së kredisë në lekë për biznesin, bëhet e ditur nga të dhënat statistikore të Bankës së Shqipërisë. Kërkesa e biznesit për kredi ka sjellë shumicën dërrmuese të rritjes, ndërkohë që kredimarrja nga individët ka qenë e dobët. Në krahasim me gushtin e vitit të kaluar, kredia është rritur me 16 për qind, por një pjesë e konsiderueshme e kësaj rritjeje është thjesht ndryshim statistikor i krijuar nga zhvlerësimi i lekut përballë euros, gjë që i bën kreditë në euro të duken më shumë. Të dhënat mbi kredinë raportohen në lekë. Gjatë gushtit, bankat akorduan 106 milionë euro kredi të re për ekonominë, shifra më e lartë mujore e kredituar gjatë këtij viti, duke dhënë shenja rigjallërimi të shpejtë të këtij sektori. Por rreth 60 për qind e kësaj kredie qe me afat maturimi prej më pak se 6 muaj, pra është kredi për kapital qarkullues, gjë që dëshmon për vështirësi të konsiderueshme që po has sektori real i ekonomisë shqiptare.
Kredia e re në lekë gjatë gushtit qe 7.8 miliardë lekë. Shumica dërrmuese qe me afat maturimi nën tre vjet. Ekspertët po flasin për rënie të interesit të kompanive dhe individëve për të hyrë në marrëdhënie huamarrjeje afatgjata me bankat në kushtet e pasigurisë ekonomike.