Masa për parandalimin e përmbytjeve gjatë dimrit
Drejtoria e Bordit të Kullimit në Korçë ka nisur marrjen e masave për sigurinë në diga, rezervuare, lumenj dhe kanale të larta për përballimin e situatave emergjente gjatë periudhës me reshje. Nisur nga fakti se gjatë dimrit të kaluar, për shkak të daljes së lumenjve nga shtrati, pati përmbytje të shumta në sipërfaqet bujqësore, është kryer inspektimi në terren në zonat problematike dhe me risk të lartë në vendet ku kalojnë lumenjtë Devoll dhe Dunavec. Sipas drejtorit të Bordit të Kullimit, Gentian Gere, një pjesë e kanaleve të larta janë bllokuar nga ana e fermerëve gjatë periudhës së verës për efekte të vaditjes së tokave bujqësore. Bllokimi i këtyre kanaleve përbën edhe rrezikun më të lartë që me nisjen e reshjeve, shumë fshatra të fushës së Korçës dhe Maliqit, të bëhen pre e përmbytjeve nga reshjet. Ndërkohë, mësohet se janë bërë ndërhyrje për thellimin e shtretërve të lumenjve dhe kanaleve anësore në afërsi të sipërfaqeve në zonat ku kalojnë lumi i Devollit dhe Dunavecit, që gjatë periudhës së dimrit kanë shkaktuar përmbytje masive të tokave. Pritet të ndërhyhet për çarjen e lumit Devoll në zonën e Maliqit, ngritjen e hidrovorit dhe të kolektorit në të njëjtën zonë.
Ju.Dh.
Ju.Dh.