E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis privatizimi i ish-kabinave të plazhit

Familjet e pastreha që jetojnë me qira në ish-kabinat e plazhit do të përfshihen në procesin e privatizimit të tyre. Kjo është vendosur me shumicë votash në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Durrësit, ndërsa është vendosur me mbështetjen e të gjitha palëve të politikës në këshill prishja e kateve pa leje të një godine shumëkatëshe në afërsi të portit detar. Në mbledhjen e tij të parë pas zgjedhjeve parlamentare, Këshilli Bashkiak i Durrësit ka pranuar betimin e dy këshilltarëve të rinj: Rezart Kthupi dhe Eduart Prenga, që zëvendësojnë përkatësisht dy përfaqësuesit e PD-së dhe PS-së, Igli Cara dhe Gazmir Bizhga, që u zgjodhën deputetë në Parlament. Më pas është miratuar fillimi i procedurave të privatizimit për afro 500 familje, të cilat prej afro dy dekadash janë strehuar në ish-kabinat e plazhit të Durrësit, të përqendruara në 11 objekte, me vendim të komitetit ekzekutiv pluralist që funksiononte në vitin 1991. Grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike i mbështetur edhe nga këshilltarët e LSI-së paraqiti kërkesën e banorëve për nisjen e procedurave të privatizimit të apartamenteve të tyre, dikur kabina pushimi për qytetarët. Miratimi i kërkesës i kthen në pronarë banorët aktualë qiramarrës dhe zhbllokon përfundimisht transaksionet dhe investimet mbi këto godina. Vendimi u miratua me shumicë votash. Ndërkaq, gjatë mbledhjes, këshilli bashkiak i hapi dritën jeshile vendimit të bashkisë për të prishur 4 katet e ndërtuara pa leje mbi një pallat shumëkatësh me platformë rrotulluese pranë hyrjes së portit detar. Sipas kryebashkiakut Dako, mbi pallat janë ndërtuar edhe katër kate të tjera të paligjshme, bazamenti i të cilave ka dalë jashtë perimetrit të ndërtimit dhe përbën një rrezik real për banorët. Kreu i bashkisë u bëri me dije këshilltarëve se pallati 12-katësh që është ndërtuar 10 vjet më parë përballë katedrales ortodokse të Shën Palit dhe Shën Astit, pikërisht pranë hyrjes nr. 2 të portit detar ka marrë një leje tjetër në vitin 2002 për të ngritur dy kate dhe një platformë rrotulluese. Dako tha se pas gjobës prej 1 milion lekësh ndaj firmës së ndërtimit është bërë një kallëzim penal në organet e drejtësisë, ndërsa për prishjen e katër kateve pa leje është kërkuar mbështetja e specialistëve dhe mjeteve të Inspektoratit Kombëtar Ndërtimor.

V.Qyrfyçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›