Vendorët, Bode dhe Çeku: Janë "çakej" dhe abuzues
Pushteti vendor është gjendur në mes të kritikave nga dy zyrtarët më të lartë të shtetit. Ministri i Financave dhe kreu i KLSH-së nuk kanë ngurruar të sjellin shembuj nga puna e dobët e bashkive dhe komunave rreth zbatimit të buxhetit 2008. "Po t‘u referohemi statistikave që kemi ne, pushteti lokal në formë figurative ka rolin e "çakallit". Dëmet më të mëdha për fondet e shtetit, i kryen pushteti lokal. Shkeljet që ne gjejmë në pushtetin lokal nga viti në vit kanë tendencë të rriten. Prandaj them që kryetarët e komunave kanë rolin e ‘çakallit", deklaroi kreu i KLSH-së. Kurse ministri i Financave përmendi rastet me shpërdorimin e fondeve. "Ne u japim para për të rritur investimet, kurse ata i kthejnë në paga dhe shpërblime. Sa më shumë rrisim grantet, aq më tepër fryhet administrata lokale. Numri i tyre është dyfishuar, kurse investimet bien", tha Bode, duke shtuar se, fondet për pushtetin vendor janë rritur me 15 miliardë lekë.