E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve miraton projektligjin. Synohet lufta ndaj evazionit fiskal

Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje projektligjin e hartuar nga Ministria e Financave ku i jep leje kësaj të fundit që të kërkojë përgjimin e telefonatave të subjekteve të konsideruara problematike, ose më thjesht biznesmenët. Me ndryshimet më të fundit në projektligjin për përgjimin e telekomunikacioneve, të gjithë ministrat, që kanë nën varësi shërbime informative dhe policore, që ushtrojnë kompetencat e policisë gjyqësore, mund të kërkojnë kryerjen e përgjimit të bisedave telefonike. Neni 8 i projektligjit parashikon dhënien e të drejtës për përgjim nga Prokuroria e Përgjithshme, pas kërkesës me shkrim të drejtorit të SHISH, ministrit të Brendshëm, Mbrojtjes, dhe atij të Drejtësisë. Duke pasur parasysh faktin që dhe ministri i Financave ka në dispozicion forca policore që veprojnë me atributet e policisë gjyqësore, edhe ky dikaster përfshihet në listën e organeve që mund të kërkojnë përgjim për veprimtarinë e organeve tatimore dhe doganore. Drafti do të kalojë për miratim në Kuvend javën tjetër. Sipas Ministrisë së Financave, ky ligj do të ashpërsojë dhe konkretizojë luftën ndaj evazionit tatimor dhe doganor, si dhe ndaj personave përfaqësues të shtetit që punojnë në organet e mbledhjes të së ardhurave që mund t‘i sjellin dëme buxhetit të shtetit me veprimtarinë e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë në kundërshtim me ligjin. Gjatë diskutimeve nga anëtarët e komisionit, shumica prej tyre janë shprehur dakord që ministri i Financave t‘i kërkojë Prokurorisë vendosjen në përgjim, e më pas të kërkojë të dhënat e informacionet e përfituara nga përgjimi, për ata biznesmenë që hetohen nga sektori i tatimeve apo doganave për kryerje të evazionit fiskal. Një artikulim i tillë i ligjit është kritikuar nga komuniteti i biznesit, i cili është shprehur i shqetësuar për tentativën e Ministrisë së Financave, si organ ekzekutiv, për të vendosur në përgjim biznesmenët, kur një e drejtë e tillë ligjore i jepet vetëm prokurorisë ose gjykatës, nga Kushtetuta e vendit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›