E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Rritja ekonomike, vetëm 0.7%

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2009, do të jetë 0.7 për qind, shumë herë më poshtë sesa vlerësimi i qeverisë për rritje ekonomike prej 5.8 për qind. FMN vlerëson gjithashtu, se problemet e krizës do të vijojnë në vitin 2010, kur vendi ynë do të ketë një rritje prej 2.2 për qind, ndërsa normaliteti do të kthehet në vitin 2011 me rritje mbi 6 për qind. Vlerësimi i FMN-së për ecurinë ekonomike të botës në mënyrë të detajuar bëhet dy herë në vit, në pranverë dhe në vjeshtë. Vlerësimi i pranverës pati folur për rritje ekonomike prej 0.4 për qind për këtë vit dhe 2 për qind për vitin e ardhshëm.

PBB për frymë në vendnumëro

Sipas vlerësimeve të FMN-së, shqiptarët do të jenë këtë vit 0.2 për qind më të pasur në krahasim me vitin e kaluar. Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë do të jetë 348,500 lekë ose 2850 euro. Duke marrë parasysh pabarazinë shoqërore, e cila në Shqipëri konsiderohet relativisht e lartë dhe në thellim, (indeksi Gini është 0.35), atëherë një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve do të jenë realisht më të varfër se vitin e kaluar. Këto shifra tregojnë se Shqipëria mbetet vendi më i varfër i Europës pas Kosovës. Maqedonia, vendi tjetër më i varfër në rajonin tonë, është ende 16 për qind më i pasur se Shqipëria. Gjithsesi, shumë ekspertë nuk i marrin si të rëndësishëm treguesit e PBB për frymë për vlerësimin e gjendjes ekonomike të një populli.

Matur me standardin e fuqisë blerëse, PBB për frymë e shqiptarëve në dollarë amerikanë të sotëm është 7018 dollarë. Sipas kursit të këmbimit, PBB për frymë është 3680 dollarë. Bazuar në vlerësimet e FMN-së, të kesh një dollar në Shqipëri, është e barabartë si të kesh 1.9 dollarë në pjesën tjetër të botës.

Qeveria vijon me të vetën

Ndërsa FMN vijon me këtë vlerësim, për rritje ekonomike të papërfillshme për vitin 2009 dhe rritje të dobët për vitin 2010, qeveria vijon të këmbëngulë se këtë vit rritja ekonomike do të jetë 5.8 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm do të rikthehet rritja 6 për qind. Mospërputhja e shifrave nuk është thjesht çështje politike. Ajo mbart rreziqe të konsiderueshme për stabilitetin makroekonomik të vendit. Shifra e PBB-së nominale të Shqipërisë, përdoret edhe si njësia bazë për llogaritë e buxhetit të shtetit. Duke mbajtur një shifër fiktivisht të lartë të PBB-së, qeveria, i lejoi vetes këtë vit të ligjëronte një deficit buxhetor të konsiderueshëm që u kthye në kërcënim real për stabilitetin makroekonomik të vendit dhe për pasojë, ndikoi edhe në zhvlerësimin e lekut. Por problemi është se vitin e ardhshëm, hendeku mes vlerësimit të FMN-së dhe atij të qeverisë do të rritet edhe më shumë. Kështu, ndërsa FMN vlerëson se PBB e Shqipërisë vitin e ardhshëm do të jetë rreth 1.15 trilionë lekë, qeveria beson se do të jetë 1.3 trilionë lekë ose 13 për qind më shumë. Për pasojë, ndërsa qeveria parashikon deficit buxhetor prej 3.4 për qind për vitin e ardhshëm, në realitet ky deficit do të jetë shumë më i lartë.

Viti 2009, ka sjellë parametrat buxhetorë më të këqij për sa i përket nivelit të deficitit, që nga viti 2002.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›