E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa për pension invaliditeti për herë të parë, ja procedurat

Pensionet e invaliditetit për të gjitha llojet ashtu si i parashikon ligji nr. 7703, datë 11.5.1993 Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, caktohen në bazë të kërkesës me shkrim, sipas formularit tip bashkëlidhur dhe dokumenteve të përcaktuara në këtë Rregullore.

Kërkesa për pension plotësohet në ALSSH nga vetë personi, në prani të pritësit, në tri kopje, nga të cilat kopja e parë shoqëron dosjen, kopja e dytë i jepet personit dhe kopja e tretë ngelet në ALSSH, duke u ruajtur për një periudhë kohe deri në një vit. Fletë kërkesa në këtë moment shërben edhe si fletë inventari e dokumenteve që dorëzohen. Kërkesa, së bashku me dokumentet, paraqiten në ALSSH-në e vendbanimit, sipas gjendjes civile të personit, që kërkon të dalë në pension invaliditeti. Inspektori pritës i ALSSH-së është i detyruar dhe mban përgjegjësi për: - pajisjen me formularin tip të dokumenteve për pension invaliditeti (bashkëlidhur kësaj rregulloreje); - pajisjen me listën e dokumenteve mjekësore, e cila është e veçantë sipas diagnozës për të cilën pretendohet pension invaliditeti. Gjithashtu informimin dhe sqarimin e të interesuarit se kur i lind e drejta për pension, si dhe procedurën që do të ndiqet me dokumentet për pension. Por nga ana tjetër kontrollin nëse dokumentet e paraqitura për pension invaliditeti janë të plota, nga ana formale të plotësuara në të gjitha rubrikat, nëse kanë ose jo korrigjime, të meta, mangësi etj., nëse janë të regjistruara të gjithë dokumentet në kërkesë, janë të gjitha dokumentet mjekësore sipas diagnozës për të cilën kërkohet pension invaliditeti; - sqarimin e të interesuarit, kur dokumentet kanë të meta apo kur dokumentet nuk janë të plota. Proçedura e pranimit dhe regjistrimit të kërkesës për pension invaliditeti nuk fillon nëse nuk paraqiten dokumentet përjashtuese, të cilat janë certifikatat e gjendjes civile: të lindjes, familjare, të martesës, fletë-drejtimi për në KMCAP, epikriza dhe dokumentet mjekësore, sipas diagnozës për të cilën kërkohet pension invaliditeti. Inspektori pritës, përveç sa u parashikua më sipër, është i detyruar dhe mban përgjegjësi për respektimin e të gjitha procedurave të caktuara për inspektorin pritës në pikën I.. Ky i fundit i kalon dokumentet tek inspektori përpunues, ndërsa dokumentet mjekësore te mjeku i ekspertizës. Mjeku i ekspertizës mjekësore shprehet me shkrim për bazueshmërinë ligjore dhe shkakun nëse është aksident në punë, sëmundje profesionale apo sëmundje e përgjithshme, nëpërmjet formularit tip (bashkëlidhur).

Last Updated on E Shtune, 17 Prill 2010 20:12

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›