E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten rastet me SIDA, 25 të infektuar në pesë muaj

TIRANE- Virusi i HIV/AIDS po përhapet me shpejtësi. Kështu vetëm për këtë vit janë identifikuar 25 persona të prekur nga virusi HIV, duke e çuar numrin total në 431. Specialistët deklarojnë se shifrat janë të ulëta në krahasim me vendet e tjera, por ata japin alarmin për risqet, pasi vetëm 5% e popullatës kryen këtë analizë. Sipas tyre, më shumë kujdes duhet të kenë edhe femrat e infektuara nga ky virus, pasi nëse e dinë dhe kanë informacionin e duhur, do të shmangnin lindjen e fëmijëve të infektuar. "Vetëm 5% e grave shtatzëna testohen për HIV. Të testuarit dhe marrja e masave të duhura e çon rrezikun e transmetimit nga nëna tek fëmija pothuajse 0. Nëse gjatë shtatzënisë ato mjekohen me antiretrovirale, bëhen ndërhyrje çezariane sipas parametrave të duhur si dhe evitohet ushqyerja me gji, atëherë fëmija mund të jetë 100% i pastër", - ka shpjeguar mjeku specialist, Roland Bani. Ndërkohë që sipas tij, kujdesi më i madh duhet të përqendrohet tek të rinjtë, pasi ata janë kategoria më e rrezikuar nga ky virus dhe përgjithësisht nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Sipas specialistit Bani, studimet tregojnë se 16% e të rinjve në moshën 16 deri 18 vjeç kryejnë marrëdhënie seksuale pa masa mbrojtëse. "Marrja e masave mbrojtëse është një faktor mjaft i rëndësishëm. Sidomos përdorimi i kondomit është shumë i domosdoshëm, pasi parandalon jo vetëm shtatzëninë e padëshiruar, por edhe transmetimin e të gjitha sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Por nga studimet e ndryshme që ne kemi bërë, rezulton se vetëm 16% e të intervistuarve pohojnë se e përdorin atë", - ka shpjeguar Bani. Një tjetër problem që hasin specialistët është fakti se të sëmurët me HIV-AIDS në vendin tonë diagnostikohen me vonesë, çka bën që kurimi i tyre të jetë i vështirë. Pjesa më e madhe e tyre kapen në një stad të avancuar të virusit, kur ai ka filluar të shfaqë shenja të rënda edhe të sëmundjeve të tjera oportuniste. Në ditën ndërkombëtare të HIV/AIDS, më 1 dhjetor 2010, sipas statistikave zyrtare në vendin tonë ishin 406 persona të infektuar, listë kjo, së cilës i shtohen edhe 25 të tjerë deri në muajin prill.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›