E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet dheu në minierën e Bulqizës, vdes minatori

Autori i Lajmit: red.
Një minator ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur nga shembja e një masivi në minierën e Bulqizës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në kohën kur minatorët po nxirrnin krom në zonën tek pusi numër 2, në ambientet e jashtme të minierës. Burimet nga policia lokale bëjnë të ditur se pas aksidentit kanë nisur hetimet në lidhje me kushtet e sigurisë në punë.
Aksidenti
Shembet masivi i dheut, humb jetën minatori, ndërsa 3 shokë të tij mbetën të plagosur, pasi janë zënë poshtë nga një masiv dheu në minierën e Bulqizës. Burime nga policia bënë të ditur se tre minatorët, punëtorë të firmës “Çeka” që ushtron aktivitet të licencuar në këtë zonë për nxjerrjen e kromit, kanë qenë duke punuar në zonën tek pusi numër 2, në ambientet e jashtme të minierës. Ndërkohë që nuk dihen saktësisht rrethanat se në çfarë kushtesh ka ndodhur aksidenti që i mori jetën 43-vjeçarit Nevruz Gjoka nga Bulqiza. Ndërkohë dy të plagosurve të tjerë u është dhënë ndihma e parë duke u dërguar në spitalin e qytetit, prej ku mësohet se gjendja e tyre është e rëndë. Aksidenti i djeshëm pason dhjetëra aksidente të ndodhura në këtë zonë me pasojë humbjen e jetëve njerëzore. Kështu, vetëm në muajt e fundit kanë humbur jetën në minierën e Bulqizës tetë minatorë. Më shumë se një herë minatorët kanë protestuar përpara Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës për kushtet në punë dhe pagat qesharake me të cilat trajtohen nga firma që administron minierën.
Hetimet
Pas shembjes së masivit të dheut, ku mbeti i vdekur një minator dhe u plagosën dy të tjerë, policia ka nisur hetimet në lidhje shkaqet. Burime nga blutë lokalë bëjnë të ditur se paralelisht po hetohet dhe në lidhje me kushtet e sigurisë në punë. Deri në orët e vona të mbrëmjes nuk janë bërë të ditura shkaqet që çuan në shembjen e masivit të dheut.

Ky lajm është publikuar: 22/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›