E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja e Gani Kamberit kthehet për hetime në polici

Autori i Lajmit: red.
Prokuroria e Tiranës e ka dërguar në polici dosjen hetimore për ngjarjen e ndodhur vitin e kaluar në Komunën e Kasharit, kur Gani Kamberi u gjet i vdekur me një plumb në pjesën e prapme të kokës. Burime nga Prokuroria e Tiranës bënë të ditur dje se dosja për këtë çështje i është deleguar për veprime të mëtejshme Policisë së Tiranës. Ekspertët e policisë pritet të përgatisin raportin përfundimtar në funksion të zbardhjes së kësaj ngjarjeje, të cilin më pas do ta referojnë në Prokurorinë e Tiranës. Nga të njëjtat burime mësohet se ndihmesë në zbardhjen e ngjarjes kanë edhe rezultatet e mjekësisë ligjore për autopsinë e kufomës së Gani Kamberit, që pritet të dalin ditët e ardhshme. Sipas të njëjtave burime, mësohet se Gani Kamberi, 50 vjeç, u gjet i vdekur në tetorin e vitit të kaluar buzë një përroi në Komunën e Kasharit, pak kilometra larg Tiranës. Viktima kishte marrë një plumb pistolete në pjesën e pasme të kokës. Pas ngjarjes, grupi hetimor ngriti dyshimin se në këtë rast bëhej fjalë për një vetëvrasje. Por familjarët e viktimës pretendojnë për një vrasje të mundshme të Gani Kamberit. Nisur nga kjo hipotezë, prokuroria urdhëroi para disa ditësh zhvarrimin e kufomës së tij për ekzaminime mjekoligjore.
Ky lajm është publikuar: 22/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›