E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli, letër Ramës: “Sillni dokumentet që faktojnë mospërfshirjen e FA në Gërdec”



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, për përshpejtimin e procedurave për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i është drejtuar kryeprokurores Ina Rama nëpërmjet një letre. Në këtë letër Topalli kërkon dokumente shtesë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kryetarja e ligjvënësit shqiptar kërkon nga organi i Akuzës vënien në dispozicion të Kuvendit dokumentet e plota, të cilat faktojnë pretendimin e Prokurorisë për mospërfshirjen e Forcave të Armatosura në procesin e demontimit të armëve në Gërdec. Në letrën e saj Topalli shkruan se dosja e paraqitur në Kuvend për heqjen e imunitetit të Mediut, pa përjashtim nga të gjithë deputetët e maxhorancës dhe të opozitës, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Imunitetet dhe Mandatet, është konsideruar e mangët për të faktuar pretendimet e kërkesës së Prokurorisë. Në mënyrë të veçantë, shkruan Topalli, i pabazuar është gjetur pretendimi se në proces nuk janë përfshirë Forcat e Armatosura. Ajo vë në dukje se ish-ministri Mediu ka deklaruar se janë rreth 30 dokumente zyrtare që faktojnë se çdo gjë që është miratuar është përcaktuar nga autoritetet ushtarake të të gjitha niveleve, sipas detyrës. “Në media janë botuar dokumente që vërtetojnë katërcipërisht se autoritetet ushtarake janë të përfshira në çdo etapë të këtij procesi, që nga fillimi deri në momentin e eksplozionit katastrofik. Për të shmangur çdo lloj keqkuptimi për njëanësi duhet të sillni çdo dokument për këtë çështje dhe të faktoni ku është shmangur autoriteti ushtarak në përzgjedhjen e vendit, në transportin, në dërgimin e fadromave e kontenierëve etj.”, - shkruan Topalli në letrën drejtuar kryeprokurores Ina Rama. Më tej Topalli ka renditur dhe dokumentet e nevojshme për të plotësuar dosjen e kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Prokuroria duhet të vërë në dispozicion të Kuvendit praktikat shoqëruese të Urdhrit të ministrit nr. 550 datë 24.4. 2007 “Për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave”, “për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjes së FA të hequra nga armatimi dhe përdorimi”. Detyrat që ka lënë shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe urdhrat që ai ka nxjerrë në zbatim të urdhrit të ministrit. Shkresën nr. 7395 datë 17.9.2007 e shefit të Shtabit të Përgjithshëm drejtuar ministrit të Mbrojtjes. Memo e datës 22.11.2007 nga drejtori i Logjistikës drejtuar shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Dokumentacionin që rregullon licencimin e depove të armatim municioneve, si dhe komunikatat ditore të Qendrës Operacionale për lëvizjen dhe transportin e municioneve për në Gërdec. Në përfundim Topalli kërkon nga kryeprokurorja Rama që të marrë masa që këto dokumente të vijnë në kohën më të shkurtër të mundshme në Kuvend.

4 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›