E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet çmimi i naftës. Shkon 200 lekë me shumicë, ulen blerjet

DURRES- Grosistët e naftës në Durrës parashikojnë rritje tjetër të naftës dhe benzinës për ditët që vijnë, rritje që do të bjerë kryesisht mbi konsumatorin, pasi janë rritur tashmë çmimi i biletave të trageteve dhe avionëve. Ata thonë se ky çmim pritet të shkojë deri në 200 lekë litri brenda një kohe fare të shkurtër.

Dje në doganën e Durrësit kishte dy vlerësime për çmimin e naftës në bursën ndërkombëtare. Në rafineritë arabe një fuçi naftë kuotohej me 125 dollarë, ndërsa në bursën amerikane me 105 dollarë fuçia. Nëse këto ditë nuk do të ketë ndalje të rritjes së çmimit në tregjet arabe, atëherë çmimi edhe tek ne do të ketë një tjetër rritje thonë në doganën e Durrësit, nga ku futet e gjithë nafta e importit.
Grosistët e naftës, të cilët në Porto Romano kanë ngritur depozitat strategjike sqarojnë se pjesën dërmuese të naftës dhe nënprodukteve të saj e blejnë në rafineritë greke dhe fare pak në ato ruse. Ata sqarojnë se nuk kanë leverdi që ta blejnë naftën në rafineritë e vendeve prodhuese të naftës për shkak të tarifës së lundrimit çka e bën atë më të shtrenjtë se sa ajo që ata blejnë në Greqi në gjendje të përpunuar.
Ndërkohë, kjo konjukturë e çmimeve të naftës ka reflektuar në rritjen e çmimeve të transportit. Një biletë trageti varion nga 85 euro deri në 115 euro, në një kohë që bileta për makinat është 120 euro. Po kështu është rritur në mënyrë të ndjeshme edhe çmimi i biletave të avionëve. Rritja e çmimit të naftës dhe nënprodukteve të saj ka shkaktuar uljen e numrit të udhëtarëve nëpër tragete si dhe një përdorim më racional të automjeteve nga pronarët e tyre. Në policinë e qarkullimit rrugor kanë konstatuar se fluksi i makinave në autostradën Tiranë-Durrës, e cila është edhe rruga më e ngarkuar në vendin tonë, ka rënë gjatë muajit mars me 30 për qind. Kjo situatë vihet re edhe në rrugët e brendshme të qytetit të Durrësit.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›