E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet kreu i Pronave, Besnik Maho

Kryeministri Sali Berisha ka firmosur dje shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Besnik Maho. Zëvendësuesi i ish-drejtorit Maho në këtë post është Tunxh Prel Vatnikaj, emër i cili është propozuar drejtpërdrejtë nga Kryeministri Berisha. Drejtori i ri i AKKP-së, Tunxh Prel Vatnikaj, ka punuar deri tani si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Motivacioni i shkarkimit të ish-drejtorit Maho është shkelja e urdhrit të Kryeministrit, duke marrë në konsideratë vetëm 5 nga 12 rekomandimet e bëra nga Këshilli i Ministrave lidhur me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Nëpërmjet një shkrese ku përcaktohen pesë arsyet e shkarkimit të drejtorit të AKKP-së, renditet zvarritja e procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave nëpërmjet prishjes pa të drejtë të vendimeve të zyrave rajonale të AKKP-së, duke i kthyer për rishqyrtim pranë tyre. Arsyeja e dytë që çoi Kryeministrin drejt vendimit për shkarkimin e Mahos është zvarritja e procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave dhe shkelje të të drejtave të të interesuarve nëpërmjet mungesës së përgjigjeve në rreth 270 kërkesa drejtuar AKKP-së. Mungesa e transparencës së procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave, nëpërmjet shkeljes së rregullave për mbajtjen e akteve që shërbejnë për marrjen e vendimeve të AKKP-së, është motivi i tretë që lidhet me largimin e ish-drejtorit të AKKP-së. Arsyeja e katërt është pengesa e efektivitetit të strukturave të AKKP-së, nëpërmjet mungesës së komunikimit normal me strukturat e brendshme, nëpërmjet lëvizjes së personelit pa shkaqe të justifikuara në dëm të institucionit. Arsyeja e fundit lidhet me thyerjen e urdhrit të Kryeministrit Berisha për kthimin e pronave.

Në këtë propozim, Kryeministri mbështetet në rezultatet e kontrollit të ushtruar mbi veprimtarinë e AKKP-së mbi bazën e urdhrit të Ministrisë së Drejtësisë, nr.2013, datë 10 mars 2008, i përfunduar më datën 18 mars 2008. Nga ky kontroll kanë rezultuar shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore që normojnë veprimtarinë e AKKP-së dhe janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e drejtorit të saj. Pas shkarkimit të Besnik Mahos, Kryeministri propozon emrin e Tunxh Prel Vatnikajt në detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. "Në propozimin e kësaj kandidature, Berisha mban në konsideratë të dhënat personale në drejtim të arsimit, të përvojës në punë e në drejtim të integritetit të lartë moral, të cilat shërbejnë si premisa garantuese për kryerjen në mënyrë të suksesshme të kësaj detyre", citohet në relacionin e përgatitur nga Kryeministri Berisha. Deri tani, Vatnikaj e ka ushtruar detyrën e tij si gjykatës në Gjykatën e Shkodrës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›