Berisha: Qeveria "Meta" u dhuroi tokë piramidave
Këshilli i Ministrave shfuqizoi dje një vendim të marrë vite më parë nga qeveria socialiste e drejtuar nga Ilir Meta, "Për regjistrimin e sipërfaqeve të trojeve, ku janë kryer investime për ndërtim objektesh, në pronësi të shoqërive huamarrëse". Gjatë mbledhjes, Kryeministri Berisha tha se me këtë vendim ish- kryeministri Ilir Meta u dorëzoi firmave rentiere si pronësi një tokë që ato nuk e kishin kurrë në pronësi. "Ky vendim u bë për qëllime përfitimi personal, duke u dhënë pjesët më të bukura të bregut firmave rentiere dhe për t‘jua marrë me klanin e tij", bëri të ditur kreu i qeverisë. Kryeministri e konsideroi vendimin e vitit 2001 të karakterit arbitrar, i marrë jashtë kompetencave ligjore të Këshillit të Ministrave, për të urdhëruar regjistrimin në pronësi të shoqërive huamarrëse të sipërfaqeve të trojeve në pronësi të shtetit. Sipas tij, "vendimi është një veprim i paligjshëm, pasi regjistrimi duhet të vinte si rezultat i një veprimi juridik kalimi pronësie nga shteti te pronari privat". Për Berishën, Këshilli i Ministrave nuk mund të marrë vendime regjistrimi të një prone të caktuar. "Qeveria, si pronar i pronës shtet, kryen veprime me pronën shtet, por regjistrimi i saj është subjekt i sistemit të regjistrimit të Pasurive të Patundshme, i cili funksionon mbi bazën e ligjit të regjistrimit", tha numri një i qeverisë. Po në këtë kuadër, gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, Kryeministri Berisha i kërkoi Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, që të sjellë sa më parë projektvendimin për krijimin e një njësie speciale të ndërhyrjes së shpejtë për mbrojtjen e territorit. Kjo njësi do të ketë si qëllim të mbrojë territorin nga ndërtimet e paligjshme dhe nga abuzimet me trojet.