E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piramidat, ndryshon skema e shpërndarjes së parave

Odiseja e marrjes së parave të humbura në skemat piramidale të vitit 1997 duket se do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Qeveria ka ndryshuar skemë mbi mënyrën se si do të shpërndahen paratë e 133 mijë kreditorëve, nga 225 mijë që ishin gjithsej. Kështu, kreditorët nuk do t‘i marrin paratë te Banka Kombëtare Tregtare (BKT), sikurse e thoshte vendimi i muajit tetor 2007, por të gjendet një tjetër bankë, me synim ofrimin e kushteve sa më të mira. Strategjia e qeverisë për ndryshimin e formës së shpërndarjes së parave konsiston në kthimin e tyre si depozita për bankat, të cilat me interesat e favorshme, u krijojnë individëve të ardhura shtesë. "Ideja është që paratë e 133 mijë kreditorëve të investohen në tregun bankar", tha për gazetën zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu. Me ndryshimin e skemës që kërkon të bëjë qeveria, kreditorët mund të marrin shtesë rreth 55 milionë lekë në vit, ndërsa arkës së shtetit i kursehen 6,65 milionë lekë. Por ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka dalë kundër projektvendimit. Në një letër drejtuar ministrit të Financave, Ridvan Bode, Alibeaj shprehet se "propozimi nga ana juaj bie në kundërshtim me ligjin nr.8360, i cili ngarkon degët e BKT-së të shpërndajnë paratë".

Skema

Bëhet fjalë për paratë e humbura në 13 shoqëritë huamarrëse, të cilat në vitin 1997 rezultuan se funksionin si piramida, duke sjellë falimentin nga mungesa e likuidimit. Qeveria, vitin e kaluar, me anë të disa vendimeve, i kishte dhënë të drejtën ekskluzive për shpërndarjen e parave BKT-së. Në relacionin shpjegues të Grupit Mbikëqyrës të Fajdeve, kjo bankë, duke u gjendur në situatë dominuese, vuri kushte të reja për qeverinë, sipas të cilave, "të gjitha fondet financiare, të kalonin në llogari rrjedhëse me një përqindje interesi nga 0,5 për qind në 1,2 për qind në vit". Për Komisionin Bankar të Shërbimit, BKT do t‘i merrte çdo kreditori 100 lekë për kalimin e parave, ndërsa për depozitat në lekë do të ofronte interes 4,7 për qind, kurse në dollarë 3,6 për qind në vit. Gjatë kësaj kohe, Grupi Mbikëqyrës dhe administratorët e shoqërive huamarrëse, testuan tregun bankar për interesat që aplikohen, duke konstatuar se për të njëjtat shërbime që do të ofronte BKT-ja, interesat për depozita ishin deri në 3 për qind më të larta për lekun, ndërsa komisioni për kalimin e parave te kreditori ishte 50 për qind më i ulët. Nisur nga kushtet e reja dhe duke parë se negociatat tremujore me bankën nuk po gjenin zgjidhje, qeveria e pa të arsyeshme të ndryshonte bankë. Kështu, sipas projektvendimit, për gjetjen e bankës së re, Grupi Mbikëqyrës do të bashkëpunojë me Bankën e Shqipërisë, për gjetjen e ofertave më të mira tek interesat e larta, pagesë të ulët për komisionin bankar dhe të ketë një shtrirje të gjerë nëpër territorin e vendit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›