Legalizimet, tërhiqet qeveria
Qeveria dhe mazhoranca tërhiqen për legalizimet, duke rënë dakord për rishikimin total të ligjit që u kthye sërish për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës. Sipas ndryshimeve që po i bëhen projektligjit, është përcaktuar se nuk do të jepet më asnjë certifikatë legalizimi pa u dëmshpërblyer më parë pronari i ligjshëm i truallit. Ky është thelbi i ndryshimit që mazhoranca ka vendosur të bëjë në ligjin për legalizimet, pas kthimit të dekretit nga Presidenti i Republikës. Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese është njohur dje me dekretin e Presidentit, duke marrë në analizë të gjitha sugjerimet dhe vërejtjet që kreu i shtetit ka bërë në lidhje me këtë ligj. Relatori i këtij ligji, deputeti i PD-së, Ardian Kollozi, u shpreh se ligji ka përmirësime të cilat janë bërë pas reflektimit nga këshillat e Presidentit të Republikës. Kollozi ka theksuar se ndryshimet në ligj janë bërë edhe pas konsultimeve me grupet e interesit dhe me Partinë Republikane. Sipas tij, dy janë çështjet kryesore ku janë bërë edhe ndryshime thelbësore. E para ka të bëjë me kompetencat e njësive vendore, ku në ligj ritheksohet e drejta e pushtetit vendor për të bërë kualifikimin e ndërtimeve pa leje, por natyrisht atyre tashmë do t‘u jepet edhe një afat 1-mujor për të kryer këtë proces. "Moskryerja brenda këtij afati i jep të drejtë ALUIZNI-t (Agjencisë së Legalizimeve dhe Urbanizimit të Zonave Informale), të marrë këto kompetenca, duke vazhduar procesin. Në qoftë se njësitë e qeverisjes vendore nuk e kryejnë këtë veprim, këto kompetenca i kalojnë ALUIZNI-t, pasi qëllimi në përgjithësi është që ky proces të zhbllokohet dhe të ecë", deklaroi deputeti Kollozi. Çështja e dytë dhe më e rëndësishme, është problemi i pronësisë së ligjshme e truallit, dhe për këtë qëllim në ligj ka një përmirësim të ndjeshëm, pasi përfundimisht përcaktohen afate konkrete të procesit të kompensimit të pronarëve. Duke shpjeguar ndryshimet që do të bëhen në ligj, Kollozi ka qartësuar se brenda datës 1 gusht, njësia e legalizimit i kalon listën e parë të pronarëve qeverisë, e cila merr vendimin përkatës. Pas këtij hapi, brenda 3 muajve agjencitë e kthimit të pronave duhet të bëjnë kompensimin financiar të pronarëve. Ndërkohë që brenda këtij afati ALUIZNI duhet të ketë përgatitur të gjithë dokumentacionin, në mënyrë që ndërtimet pa leje të pajisjen me certifikata. Pra është reflektuar pikërisht thelbi i vërejtjes së Presidentit, që të mos i merret toka askujt që e zotëron atë, por duke ndihmuar edhe atë që e ka zënë gjatë këtyre viteve. Konsensus për ndryshimet që po i bëhen këtij ligji ka dhënë edhe opozita. Deputeti Ylli Bufi është shprehur se mazhoranca mesa duket ka reflektuar, pasi ka konsultime brenda saj, sepse sugjerimet e bëra nga relatori i PD-së në komision janë pozitive. Dekreti i Presidentit do të diskutohet në mbledhjen e sotme të komisionit dhe më pas do të kalohet në Kuvend. Në fundt të muajit të shkuar, Presidenti Bamir Topi refuzoi të firmose një prej ligjeve të qeverise, atë për legalizimin e zonave informale. Për herë të parë nga emërimi si President, Topi i ktheu Kuvendit një ligj, për ta rishqyrtuar për pasaktësi. Një nga motivet kryesore të kthimit të ligjit, është se ai lë pas dore pronarët e ligjshëm të tokave, duke mos përcaktuar afate konkrete për kompensimin e tyre. Ligji, që u votua më 10 prill, ka marrë numrin më të vogël të votave deri më sot. Ai u miratua me 52 vota, me kundërshtimin e ashpër jo vetëm të opozitës, por dhe grupit parlamentar republikan, si dhe deputetit, Spartak Ngjela.