Projekti i USAID: Duhen të tjera standarde
Pas vendimit të qeverisë vitin e kaluar, që të gjithë tenderët që kryhen nga Ministria e Brendshme në interes të të gjitha institucioneve, me synim shmangien e korrupsionit, me ndërhyrjen e USAID-it do të bëhen disa përjashtime. Projekti i paraqitur për propozim "Për një ndryshim në VKM nr. 53 ‘Për ngarkimin e Ministrisë së Brendshme për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, për disa mallra dhe shërbime, në emër të institucioneve të varësisë dhe ministrive", konsiston në përjashtimin e dy institucioneve të rëndësishme në procesin e realizimit të shërbimeve të komunikimit me internet dhe e-mail. Bëhet fjalë për Agjencinë e Prokurimit Publik dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave. Kështu, në kuadër të përfshirjes së këtyre dy institucioneve në projektin shumë të rëndësishëm, MCA (Millenium Challange Acount Program) për Shqipërinë, për shkak të detyrave shumë specifike që i janë ngarkuar këtyre të fundit për zbatimin e këtij projekti, si dhe për implementimin e sistemit elektronik online për realizimin e prokurimit publik, është konsideruar e rëndësishme që procedurat e prokurimit për shërbimet e komunikimi me internet, të realizohen nga vetë këto të fundit sipas ligjeve në fuqi. Konkretisht, deklarimi online i detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve, si dhe përdorimi nga shoqëritë apo institucionet që do të disponojnë websitet përkatëse të DPT-së dhe APP-së, për shkak të ndërhyrjes së madhe në rrjet, do të kërkonin një shërbim të sistemit të internetit me "bandwith" më të gjerë dhe specifik për përballimin e fluksit të kërkesës nga çdo institucion. Për këtë arsye që lidhen me specifikat, Ministria e Financave propozoi ndryshimin e ligjit, duke lejuar këto dy institucione që t‘i kryejnë vetë tenderët.