E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet kredidhenia stabilizohen kredite e keqija

Kreditë me probleme në sistemin bankar shqiptar janë stabilizuar. Të dhënat e paaudituara të Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se të ashtuquajturat kredi të këqija  kanë frenuar rritjen në fund të vitit 2011. Në raportin e muajit dhjetor norma e kredive me probleme rezulton në 18,8%, që do të thotë se krahasuar me muajin nëntor rritja ka qenë shumë e ulët me vetëm 0,1%. Duke u mbështetur në këtë ecuri të ngadaltë të rritjes së kredive të këqija, analistët bankar shprehen optimist se stabilizmi i këtij treguesi do të vijojë edhe përgjatë këtij viti. Po ashtu nga të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave, vihet re edhe një rritje e fitimit të tyre gjatë vitit 2011, ku për të gjithë sistemin është arritur një fitim  me 15,1 miliardë lekësh. Ndërsa të dhënat e Bankës së Shqipërisë flasin për një tjetër tregues pozitiv të arritur gjatë vitit të kaluar. Kërkesa për kredi e bizneseve në fund të muajit dhjetor arriti vlerën e 389 miliardë lekëve, që e krahasuar me muajin nëntor është rritur me 16 miliardë lekë, ndërsa për të gjithë vitin 2011, rritja e kredisë ka qenë rreth 18%.  Kërkesa për kredi është rritur si për investime ashtu edhe kapital qarkullues, respektivisht me 16,7% dhe 19% përgjatë vitit 2011. Sipas të dhënave të bankës qëndrore, sektori më i kredituar në ekonominë shqiptare vijon të mbetet Tregtia me 33% të kredisë për biznesin, e ndjekur nga Ndërtimi me 18% dhe Industria Përpunuese me 15%. Ndër sektorët që njohën rritje të lartë vjetore të kreditimit gjatë vitit 2010 rezultojnë Energjitika dhe Bujqësia, përkatësisht me 57% dhe me 40%. Sipas raportit të BSH, pritjet për kërkesën e bizneseve për kredi vijojnë të jenë pozitive edhe për tremujorin e parë të 2012-ës. Nga ana tjetër, edhe pritjet për kërkesën e individëve për të marrë kredi në tremujorin e parë të këtij viti janë pozitive. Gjithashtu ekspertët e bankave presin rritje të kredive të miratuara në lekë dhe ulje të atyre të shprehura në monedhë të huaj gjatë periudhës janar-mars të 2012-ës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›