E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet me 500 lekë ndihma ekonomike për 93 mijë familje

Rritet me 500 lekë ndihma ekonomike për 93 mijë familje përfituese. Nga 7000 lekë bëhet 7500 lekë në muaj.

zirina llambro

Përmirësohet kështu niveli tavan i kësaj skeme që nevojitet për mbulimin e nevojave të familjeve të varfra. Por për të përfituar personat e aftë për punë në këto familje, duhet të punojnë sipas një grafiku të përcaktuar nga komunat dhe bashkitë disa ditë në komunitet. Qeveria ka miratuar dje ndryshimet në vendimin ""Për përcaktimin e kritereve të procedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike". Në këtë mënyrë do të përfitojnë më shumë pagesë familjet që kanë numër të madh anëtarësh në përbërjen e tyre, siç janë familjet rome dhe familjet e tjera të varfra me shumë anëtarë. Sipas Ministrisë së Punës, e cila ka propozuar ndryshimet, vendimi i ri vjen në përputhje me objektivat që ka ky dikaster. Vlerësimi i  varfërisë së familjeve që kanë më pak se 2$ në ditë shpenzime për frymë për mbulimin e nevojave jetësore të tyre, si dhe kriteret që duhet të plotësojnë përfituesit nga kjo skemë, janë ndër më kryesorët. Me vendimin e djeshëm preken në mënyrë rrënjësore koeficientet që shërbejnë për vlerësimin e të ardhurave që sigurohen aktivitetet bujqësore dhe blegtorale. Gjithashtu janë përcaktuar në mënyrë të plotë rregullat për kushtëzimin e përfitimit të ndihmës ekonomike me punë komunitare. "Të gjitha komunat dhe bashkitë janë të detyruara që shpërndarjen e ndihmës ekonomike ta kushtëzojnë çdo muaj, me pjesëmarrjen e personave të aftë për punë të familjeve aplikante në punë komunitare me kohë të pjesshme, disa ditë në muaj", thuhet në vendim. Në këtë mënyrë do të realizohet transparenca në shpërndarjen e fondeve, duke realizuar edhe një kontroll më të plotë nga të gjithë pjesëmarrësit lidhur me punësimin në punë informale apo emigracion. Po ashtu bashkitë/komunat që kanë të ardhura të mjaftueshme nga taksat vendore, u krijohet mundësia të organizojnë projekte me kohë të plotë pune dhe me pagë minimale të plotë duke siguruar edhe pagesën e sigurimeve shoqërore. Në këtë rast përveç fondeve që i përkasin familjes sipas kritereve të ndihmës ekonomike, bashkia është e detyruar të plotësojë me fondet e veta pagën minimale, si dhe sigurimet shoqërore për pjesëmarrësit." Familjet që nuk pranojnë të marrin pjesë në punët komunitare me kohë të pjesshme apo dhe në projektet me kohë të plotë pune, përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike", citohet në vendim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›