E Diel, 1 Nëntor 2026

Kam një problem! Jetoj në Shqipëri!

ZHAKU

Dikur, të vetmit meshkuj që të ndalonin në rrugë qenë gangsterët. Të cilët, pasi të kapnin për krahu, të jepnin një goxha të shkundur e të urdhëronin me zë të fortë, buzë të shtrembëruar, sy të picërruar, me fytyrë pak anash: Ndal mi k'tu ti, se ta futa thikën! E ti, me turpin se mos po të sheh dikush, e ankthin se mos ai e kishte me gjithë mend atë punën e të ngulurës, me zërin që dridhej prej frikës se mos ai një ditë të merrte për grua me zor i thoje: Ti për çfarë më do mua?... Vetëm për të më vrarë apo…?...Dhe pas kësaj fraze, gangsteri shndërrohej në poet e ia niste vjershave për dashurinë. Pasi mbështeste dorën plot kallo, nga shtrëngimet e "thikave" që u ngulte vajzave të shushatura nga vuajtja e robërisë, mbi ndonjë rrëzë muri pallati popkomunist, ku mbi tullat e kuqe lexoheshin ende qartë LIGJET e PARTISË, të propozonte.
Ndërsa tani, pas rreth 14 vjetëve, të vetmit meshkuj që të ndalojnë në rrugë janë policët, të cilët edhe pse të shohin me rrip sigurimi, me drita ndezur ditë e natë, duke ecur brenda të gjithë rregullave të qarkullimit, (edhe pse rregullat, për disa njerëz, janë bërë për t'u shkelur), të urdhërojnë të ndalosh papritur, duke të nxjerrë tabelën e Xhepit, (atij plakut që rri gjithmonë tek ura Farkës me tabelën e stopit në dorë).
E ti, me stresin se nja 20 min nga koha jote do t'i shpiesh për polic, me hallin se mos vonohesh për në takim apo punë, me terezinë e prishur prej një ndalese së cilës nuk i gjen asnjë arsye, edhe pse nis e i kërkon llogari vetes për ndonjë "shkelje", të cilën nuk mban mend ta kesh bërë, ndez dritën e kabinës së makinës dhe ul xhamin. Ndërkohë, sheh prej pasqyrës se polici nuk ka hedhur ende as hapin e parë drejt teje. Ai, pasi ka shpenzuar nja dhjetë minuta për të ardhur deri te makina, të thotë: Patentën, lejen e qarkullimit!
Ti, me rripin që po të mbyt nga halli i të humburit kohë, pa asnjë shkak e pyet: mund ta di përse më ndaluat zotëri?
Ai, duke hedhur cepa bishtash sysh nga kolegu i tij, që ndërkohë ka ndaluar ndonjë tjetër RRIP si ti, pas teje, me përtaci përgjigjet: E di unë pse. Dokumentet të lutem.
Ti, që befas, edhe pse nuk do guxoje të vrisje as edhe sikur një milingonë në jetën tënde, ndihesh një langaraq që bën tel gjithë natën dhe për t'u maskuar si qytetar normal vesh rrobat që ke vjedhur, duke besuar ende në të drejtën tënde prej NJERIU (që ke zgjedhur të jetosh Brenda të gjitha rregullave të përcaktuara nga qeveria, vetëm që të mos humbasësh asnjë grimë kohë e të të shkojë jeta fjollë), kërkon edhe një herë shpjegim teksa me njërën dorë kërkon Lejen e drejtimit dhe atë të qarkullimit: A mund ta di shkakun zotëri? Bëra ndonjë gabim?!
Ai, me dokumentet e tua në dorë, pasi hedh njëherë sytë vërdallë nëpër makinë, thotë pa pikë turpi: pse e ke makinën me xhama bojëkafe? Merr gjobë nga 50.000 (të vjetra) deri në bllokim patente!
Absurdeeeee! Ti heqësh makinës xhamat origjinalë, është njëlloj si t'i heqësh syzet një miopi.
S'po e zgjas më me policin se dihet si përfundojnë historitë me to!
Dikur, të vetmet mjete që qarkullonin nëpër qytet qenë biçikletat, ndonjë autobus ose taksi tek-tuk, dy tre motoçikleta dhe këmbësorë pa fund. Atëherë jo vetëm parkimet, por edhe rrugët qenë ekskluzivisht të këtyre "mjeteve". Ndërsa sot, rrugët janë robëruar nga: kaosi i qarkullimit, gropat e aty-këtushme, pusetat, që të mbetura pa kapak ngjajnë si gropëzat e ferrit në pritje të gllabërimit të fatziut që bie në kurthin e tyre papritur, blloqe betonash që nuk merret vesh nëse bllokojnë hyrjen apo daljen aq absurde është prania e tyre në disa prej rrugëve të sapo rindërtuara të kryeqytetit, të cilat prej pllakave të kuqe e dritave nën trotuar i kanë dhënë ish-Bllokut pamjen e një rruge të kuqe, që spiunon nën fustane femrash mbrëmjeve të nxehta.
Parkimet janë ose prona të pakundërshtueshme të të parit që i teket të të marrë lekë në këmbim të një vendpushimi automjeti. Ose të urbanëve, zona të cilat janë shndërruar në mbretëri lulesh "mos më shkelni vizat e verdha". Ose, mbi hapësira parkimi gjithashtu, mbillen kazanë nëpër plehra.
Një tjetër aksioner i zaptimit të parkimit është edhe biznesi i vockël. Dikur, shqiptarët prenotonin vend në radhë qumështi duke braktisur një bidon, ndërsa tani shqiptarët me pushtetin e ndonjë karrigeje apo vazoje lulesh, apo kova e materiale ordinere prej kauçuku, ndërtojnë perandori në hapësirat e parkimit publik.
S'PO MERREM MË ME KËTË PUNË, SE TË GJITHË E DIMË MIRË SI JANË GJËRAT KËTU!
Dikur, varrezat qenë pronë e të ndjerëve, të cilët fisnikëronin të vetmin truall vërtet të shenjtë për një komb, me modestinë e gurëve të thjeshtë e të rëndë në vend të tyre. Ndërsa sot, varrezat janë jo vetëm pronë e manisë së shqiptarëve për të themeluar institucione mermeri e graniti nën mbiemrin e familjes, por edhe të çdo lloj injoranti katunar që shet lule ciklaminë, rozë, të kuqe, portokalli e çdo ngjyrë tjetër "të gëzueshme", apo siç i thonë ndryshe "të qeshur", që ekziston në planet, aty pari. Ose janë pronë e fëmijëve 5-vjeçarë që iu turren përcjellësve të të ndjerëve për në banesën e fundit, me shishe uji në duar, duke ia shkatërruar të gjithë dramën e humbjes së të dashurit/ës me fjalitë e shqiptuara keq e mos më keq: do i lash durët? 200 lekë.
Duke t'u ngjitur keqaz e duke të kërcënuar vëngër me shikim nëse tenton t'i largosh nga halli yt!
Ç'është e vërteta, javën e kaluar kisha nisur një klasifikim të institucioneve shqiptare, të cilin do ta vazhdoja këtë herë. Mirëpo, kuptova se PARODIA është e pamjaftueshme për të përshkruar gjendjen e mjerueshme të vendit tim. Më falni që sa vjen e më troç po i shpreh opinionet e mia, por kam një problem. Jetoj në Shqipëri!
Unë kritikohem në: kuzhakuzha@gmail.com dhe lexohem në: http://inidagjatazhaku.wordpress.com
Dhe mos harroni të pasuroheni me dramëza!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›