Rritet me përmasa alarmante shfaqja e virozave
Rritet me përmasa alarmante shfaqja e virozave tek të gjitha grupmoshat. Janari, i cili njihet edhe për këtë karakteristikë të tij epidemiologjike, për shkak të temperaturave të ulëta, sivjet duket të ketë tejkaluar edhe normën e të njëjtës stinë ne vitin e shkuar. Bluzat e bardha thonë se grupmosha më e prekur janë fëmijët e vegjël, rastet e të cilëve kanë pësuar një rritje të dukshme nga disa ditë më parë. Pa përcaktuar nëse bëhet fjalë për një situatë epidemiologjike, mjekët thonë se shifrat e rasteve të prekur nga këto probleme shëndetësore është për t'u shqetësur. Viroza e cila është aktualisht në qarkullim, shkakton probleme dhe komplikacione në rrugët e frymëmarrjes, temperaturë të lartë, shqetësime që në një rast pakujdesie të tepruar mund të kalojnë deri në ftohje. Një formë e lehtë e shfaqjes së kësaj viroze , mund të kalohet me lëngje të ngrohta, vitamina, dhe njonjë qetësues të lehtë. Në rast komplikacionesh këshillohet vizita mjekësore.