E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të lindur për të shënuar

Nëse vërtet futbolli është një mënyrë e të shprehurit të talentit, atëherë çdo gol është një vepër arti. Dy nga lojtarët që nuk po reshtin së shënuari janë Kristiano Ronaldo dhe Luka Toni. Gjate këtij sezoni (2007-2008), me golat e shënuar ata kanë qenë vërtet spektakolarë dhe kanë ndihmuar skuadrat tyre si në kampionat, ashtu edhe në Kupat e Evropës. Por edhe pse po shënojnë rregullisht, asnjëri nga këta bombera nuk po luan në kampionatin e vendit të tij.

Përpara të gjithëve qëndron ylli portugez i Mançester Junajtid, Kristiano Ronaldo. 41 perla të shënuara në këtë sezon mes kampionatit, Ligës së Kampionëve dhe Kupave të Ligës. Në Premierë, kuota ka arritur 28 gola dhe basti i tij me trajnerin e “Djajve të kuq”, Sër Aleks Ferguson (“nëse bëj 20 gola do qethesh zero”) tashmë është i superfituar. Kështu, e përditshmja “The Sun” ka shkuar edhe më tej, duke paraqitur look-un e ardhshëm të Sër Aleksit (shiko foton). Me një goditje të vetme, asi portugez mund të sfidojë edhe veten e tij, duke kaluar shifrën e 35 golave, të cilët i ka shënuar në katër sezone të Premierë Ligës. Ronaldo në këtë sezon ka thyer edhe dy rekorde në “Old Traford”: numrin e golave të shënuar në një sezon që mbahej nga Xhorxh Best dhe numrin e golave të shënuar në Premierë që mbahej nga holandezi Van Nistelroi. Duke parë këto shifra “të tmerrshme”, drejtuesit e Mançesterit janë gati ta mbulojnë me ar, vetëm e vetëm për të mos e lënë të largohet.

Një tjetër lojtar që po shënon rregullisht jashtë vendit të tij është edhe italiani Luka Toni. 34 gola në këtë sezon, nga të cilët 18 në Bundesligë, kanë bërë që italiani të jetë shtylla kryesore e Bajernit të Mynihut. Jo rastësisht skuadra bavareze u shpëtua pikërisht nga bomberi i kaltër në sfidën ndaj Getafes. Ish-sulmuesi i Fiorentinës ka shënuar 116 gola në pesë kampionatet e fundit. Duke fituar Kupën UEFA dhe Evropianin, Toni mund të rivalizojë me Kristiano Ronaldon në rrugën drejt “Topit të artë”. Por portugezi ka dy avantazhe më tepër: moshën (tetë vjet diferencë) dhe rolin (shënon, edhe pse nuk është një sulmues).

Pas tyre ka edhe disa sulmues të tjerë që po shënojnë rregullisht. Bëhet fjalë për Luis Fabianon e Seviljas dhe Fernando Torresin e Liverpulit. Edhe në këtë rast, ashtu si Toni e Ronaldo, të dy sulmuesit po shënojnë jashtë Brazilit e Spanjës. 33 gola për bomberin e Seviljas dhe 31 për gjigantin e Liverpulit. Edhe pse janë vetëm 24 vjeç të dy, për ta është sezoni i shtatë që numri i golave është me dy shifra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›