Rritet në maksimum çmimi i mishit të viçit
çmimet e mishit të viçit kanë pësuar një rritje të jashtëzakonshme gjatë javëve të fundit në bursat ndërkombëtare për shkak se dimri i egër dhe i gjatë në Amerikën Veriore nuk lejoi majmen e duhur të viçave, ndërsa fermerët kanë ulur prodhimin gjatë dy viteve të fundit në përputhje me rënien e kërkesës gjatë recesionit.
Që nga dhjetori, në kontratat e dorëzimit të mëvonshëm të mishit të viçit çmimet janë rritur me 20 për qind dhe aktualisht kanë arritur në rreth 1 dollar për paund (rreth 2.2 dollarë për kg), çmim ky i shënuar vetëm në kulm të krizës së çmimeve të mallrave në vitin 2008.
Në shkallë botërore, prodhimi i mishit duket se do të ulet për vitin e tretë radhazi më 2010. Gjatë dekadës së fundit, fermerët i kanë zvogëluar tufat e tyre të bagëtive për shkak të faktorëve të ndryshëm si sëmundja e lopës së çmendur apo çmimet e larta të misrit që përdoret për ushqim kafshësh. Dhe pas të gjitha këtyre, dimri i fundit qe veçanërisht i ashpër, gjë që solli lopë e viça më të dobët se zakonisht.
“Rritja e çmimeve që kemi parë këto muaj ka qenë më e madhja e shënuar në 30 vitet e fundit”, thotë James Herring, president i një kompanie prodhuese në Teksas. Në rritje janë edhe çmimet e mishit të derrit.
#