E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, krizë për faturistë, hiqen nga puna për tu ndëshkuar

Filiali i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë elektrike në Fier prej disa ditësh është në krizë për specialistët e leximit të sahateve të konsumit të energjisë. Kriza për faturistë ka ardhur pas largimit nga puna të 10 energjimatësve. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Drejtorisë së Filialit të Fierit, që prej disa javësh ka nën administrim një zonë më të gjerë, që nga Elbasani deri në jug të vendit. Sipas tyre, 10 faturistët e shkurtuar të hënën nga puna kanë qenë për Rrethin e Fierit, ndërkohë që numri i të shkurtuarve në rang filiali është disa herë më i lartë.

“Fieri rezulton si zona energjetike më e prekur nga shkurtimet e faturistëve. Ka pasur mjaft ankesa dhe kontestime për faturat e energjisë, çka ka bërë që të merren këto masa ndëshkimore. është për të ardhur keq, por sot filiali i Fierit mbetet vetëm me 5 faturistë, të cilët nuk e përballojnë dot të vetëm leximin e mijëra sahateve që ka qyteti dhe fshatrat rreth tij”, shprehen përfaqësues të degës së shitjes së energjisë elektrike. Por, masat ndëshkimore të aplikuara deri tani, nuk përkojnë vetëm me largim nga puna, pasi ka edhe sanksione më të forta, si vendosja e gjobave, apo dhe dërgimi i disave për ndjekje penale.

Ndërkohë që duke ju referuar drejtuesve të OSSH-së së Fierit, mësohet se pritet të aplikohen faturime aforfe deri në momentin që kjo zonë të mbulohet me faturistë.

Një problem i madh për këtë filial është edhe vonesa e pagave për më shumë se 430 punonjësit e tij, që i përkasin Fierit, Vlorës, Lushnjës e Beratit. Paga për numrin e lartë të punonjësve ka afro tri javë që është vonuar. E ndërsa disa nga punonjësit shprehen se asnjëherë nuk e kanë marrë pagën në datën që kanë bërë kontratën, vonesa e radhës është tepër shqetësuese. “Nga data 1 e çdo muaji e kemi marrë në datën 8, ndërkohë që deri më sot nuk kemi mundur të marrim akoma pagën e radhës”, shprehet një punonjëse e OSSH-së së Fierit. Jo vetëm punonjësit, por edhe administrata drejtuese nuk ka mundur ta marrë rrogën. Kriza për paga ka prekur mjaft institucione shtetërore dhe private në Fier.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›