Rritet numri i mashtruesve financiare

Rritet numri i mashtrimeve financiare. Ky fakt vërtetohet edhe nga statistikat e policisë dhe prokurorisë. Falë punës së mirë të bërë nga ana e policisë zbulueshmëria e këtij fenomeni po ashtu ka qenë në rritje. Bëhet fjalë për mashtrimet financiare që individët i bëjnë njëri-tjetrit. Ashtu siç vihet re edhe nga grafiku nga viti 2007 e deri në vitin 2011 mashtrimi ka shënuar vetëm rritje. Vetëm gjatë vitit 2011 janë regjistruar 267 procedime penale nga të cilat në gjykatën e Tiranës janë shqyrtuar 405 çështje. Gjatë vitit që lamë pas janë hetuar për mashtrim 631 persona ndërkohë kanë përfudnuar në gjykatë 465 dhe janë dënuar si fajtorë 361 të akuzuar. Ndryshe nga viti 2010 ku rritje të ndjeshme pati numri i femrave mashtruese, në vitin 2011 ka patur një rritje të numrit të meshkujve që mashtrojnë. Kështu për vitin 2011 janë gjykuar 169 femra dhe 428 meshkuj. Sipas të dhënave të policisë faktorët kriminogjenë që ndikojnë në ecurinë e kësaj vepre penale kanë të bëjnë në radhë të parë me nivelin arsimor të të pandehurve ku pjesa më e madhe e tyre rezultojnë me arssim 9-vjeçar. Po statistikat tregojnë se në vitin që shkoi është rritur numri i mashtruesve me arsim të lartë. Nga të dhënat rezulton se numrin më të lartë të personave që mashtrojnë e ka Berati me 288 procedime, më pas vjen Tirana me 191 procedime Elbasani, Vlora, Korça, Durrësi, Shkodra etj.