Rritet numri i njohjeve për Kosovën, tani e pranojnë 56 shtete
Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Uashington, diplomati i ngarkuar me punë në këtë institucion, Avni Spahiu, ka marrë një letër nga Presidenti i Republikës së Palaut, Johanson Toribiong, drejtuar Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiut. Në këtë dokument konfirmohet njohja e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës nga ky vend. Presidenti i Palaut, Toribiong, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës zyrtare të presidentit Sejdiu për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, një hap i hedhur rreth nj vit më parë nga dhjetëra vende të tjera. Republika e Palaut është vendi i 56-të që njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Ndërkohë që rriten njohjet e pavarësisë, rriten edhe ftesat për përfaqësi të Kosovës në aktivitete ndërkombëtare që kanë të bëjnë konkretisht me Kosovën ose jo. Ministri i Jashtëm i Republikë së Kosovës, Skënder Hyseni, ka udhëtuar për në Strasburg, për një vizitë dyditore, ku është ftuar nga Grupi Panevropian i Partive Popullore në Parlamentin Evropian. Ai do t’i drejtohet me një fjalë këtij grupi gjatë seancës plenare të radhës të Parlamentit Evropian. Gjatë qëndrimit në Strasburg pritet që Hyseni të zhvillojë takime me kryetarin e Parlamentit Evropian, z. Hans-Gert Potering, me presidentin e Grupit të Partive Popullore dhe Demokratike në Parlamentin Evropian, z. Xhozef Daull, si dhe sekretarin e përgjithshëm të këtij grupi, Martin Kamp.