E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama zhvleftëson veton e Bushit, rinisin kërkimet për qelizat embrionale

 

Presidenti amerikan, Barak Obama ka nënshkruar heqjen e kufizimeve mbi përdorimin e fondet federale për kërkime mjekësore që përdorin qeliza të embrioneve njerëzore. Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua të hënën në Shtëpinë e Bardhë. Në të morën pjesë shkencëtarë, aktivistë për të drejtat e pacientëve dhe anëtarë të Kongresit. Kufizimet ishin vendosur nga presidenti Bush, i cili përdori të drejtën e vetos kundër planit për të vazhduar kërkime të tilla shkencore me fondet federale. Në vitin 2001, në atë kohë president, Xhorxh Bush caktoi një nivel tavan për fondet që i dedikoheshin kërkimeve me qeliza embrionale. Por sipas presidentit Obama, ky ishte një hap i gabuar dhe bazohej në atë që ai e cilëson si një zgjedhje të trilluar mes shkencës së mirëfilltë dhe vlerave morale. “Mendoj se të dyja këto çështje nuk lidhen me njëra-tjetrën. Unë vetë si person që besoj tek Zoti, por mendoj gjithashtu se është detyra jonë të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe të përpiqemi të lehtësojmë vuajtjet e njeriut. Unë besoj se ne jemi krijuar me aftësitë dhe vullnetin për të zhvilluar këto kërkime shkencore dhe me ndjenjat humane dhe ndërgjegjen për ta realizuar këtë në mënyrë të përgjegjshme”, tha ai. Mediat amerikane komentojnë se një hap i tillë tregon se Obama nuk dëshiron që politika të ketë ndikim te shkenca pasi Presidenti nënshkroi gjithashtu një memorandum që synon të mbrojë shkencën nga ndërhyrjet politike. Po çfarë janë qelizat embrionale? Ndryshe nga qelizat e zakonshme të një njeriu, ku secila ka një funksion specifik, qelizat embrionale nga embrione të sapokrijuara kanë aftësinë të shndërrohen në çdo ind të trupit. Sipas shkencëtarëve, qelizat embrionale përmbajnë në vete premtimin e kurave mjekësore për sëmundje dhe probleme të shëndetit që nga diabeti e deri tek paraliza. Praktika ka edhe kundërshtarët e saj, të cilët mendojnë se ky proces kërkon shkatërrimin e embrioneve njerëzore dhe kjo e bën atë të pamoralshëm dhe përbën në fakt shkatërrimin e jetës njerëzore. Në komentet e tij kur njoftoi masën e re, Presidenti Obama tha se qeveria do të mbështesë kërkime premtuese të së gjitha formave. Ai tha se është momenti që të kompensohet koha e humbur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›