E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet papunësia, Sindikatat: Po shkurtohen vende pune

Tiranë, 5 Shkurt NOA/ Bleriona Ahmetaj - Konfederata
e Sindikatave të Shqipërisë deklaron se në vend po rritet numri i të papunëve
me shpejtësi.

Një studim i fundit i sindikatës tregon se
momentalisht kjo shifër i ka kapërcyer të 185 mijë persona.

Kryetari i Konfederatës, Kolë Nikolla, duke
folur sot me agjencinë NOA, tha se vetëm si pasojë e përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës
dolën të papunë 800 punëtorë me kontratë të cilëve iu shkurtua vendi i punës.

Nga studimi që ka kryer konfederata kohët e
fundit rezulton se papunësia në vendin tonë është rritur me 35-38 për qind ose
185 mijë persona, - tha Nikolla.

Ai vuri në dukje se këto shifra janë të sakta
pavarësisht atyre që deklarohen zyrtarisht.

Ne mendojmë se kjo rritje shpjegohet me
shkurtimin e vendeve të punës si në sektorin privat dhe atë buxhetor.

Në zonën e Shkodrës, rreth 22 firma mbyllën
aktivitetin e tyre pasi u dëmtuan nga përmbytjet.

Kjo bëri që të dilnin në rrugë 800 punëtorë,
anëtarë të sindikatës sonë, thotë Nikolla.

Sipas konfederatës, qeveria premtoi hapjen e
160 mijë vendeve të punës por deri më sot ka vetëm shkurtime të punonjësve.

Në sektorin buxhetor, arsimi zë vendin e parë
për numrin e punonjësve të shkurtuar. Nikolla thotë se institucioni ku duhen
diskutuar këto probleme, Këshilli Kombëtar i Punës nuk funksionon prej 6 muajsh
pasi i ka mbaruar mandati.

Ndonëse sindikata i ka bërë kërkesë qeverisë e
cila duhet të mandatojë këshillin e ri, kjo gjë ende nuk ka ndodhur.

Për këtë arsye, sindikatat po hyjnë në marrëveshje
direkte me punëdhënësit duke i rekomanduar atyre të firmosin kontratat
kolektive me punëmarrësit, ku u garantojnë këtyre të fundit respektimin e të
drejtave të tyre në punë.

b.a/e.n/NOA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›