Rritet punesimi ne Shqiperi

Rritet numri i të punësuarve në vend në tremujorin e katërt të 2011-ës. Në një kohë kur e gjithë Eurozona ka shënuar një rekord papunësie në nivelin e 10.7% që nga krijimi i monedhës euro, sipas statistikave zyrtare të publikuara nga INSTAT, rezulton se në vendin tonë gjatë periudhës tetor-dhjetor 2011, popullsia ekonomikisht aktive, pra forca e punës rezulton në rritje me 25.847 mijë duke shkuar në 1,075,338 persona nga 1,049,491 në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po sipas këtyre të dhënave numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor në tremujorin e katërt 2011 është rritur me 6.7 përqind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit paraardhës, ndërsa nuk ka patur ndonjë ndryshim në numrin e të punësuarve në sektorin shtetëror dhe atë privat bujqësor që nga tremujori i tretë 2011. Norma e papunësisë gjatë një viti ka rënë në 13.29% nga 13.49% që ishte në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Vlen për tu theksuar fakti se gjatë një viti të papunët e regjistruar në zyrat e punësimit në vend kanë pësuar një rënie të ndjeshme me 190 mijë nga 143,040 në tremujorin e katërt të 2010-ës në 142,950 persona në fund të 2011-ës. Gjithsej nga ky numër mesatar i punëkërkuesve të papunë kanë përfituar pagesë papunësie 9,247 persona. Sipas Instat, gjatë tremujorit të katërt të 2011-ës paga mesatare mujore për një të punësuar në sektorin shtetëror ishte 48,000 lekë nga 45,000 lekë në një vit më parë. Niveli mesatar i ndihmës së pjesshme ekonomike është 3,390 lekë ndërsa niveli i ndihmës ekonomike të plotë është 4,195 lekë. Gjithashtu nga të dhënat zyrtare statistikore rezulton se paga minimale në shkallë vendi në bazë të vendimit të këshillit të Ministrave në 2011-ën ka shkuar në 200 mijë lekë nga 190 mijë që merrej një vit më parë.