Falimentimi i Greqise i kushton botes mbi 1 mije miliarde euro

Një falimentim i pakontrolluar i Greqisë do t’i kushtonte ekonomisë botërore më shumë se 1 mijë miliardë euro. Është ky parashikimi i bërë nga Instituti Ndërkombëtar i bankave në një raport të muajit shkurt të cituar nga agjencia e lajmeve Athens Nëes. Sipas këtij instituti e cila po negocion ristrukturimin e borxhit grek me kreditorët privatë, një dështim i Athinës do të shkaktonte një infektim edhe për ekonomitë e tjera në vështirësi sic është Italia, Spanja, Portugalia dhe Irlanda. Sipas Institutit ndërkombëtar të Financave më e penalizuar nga një falimentim i vendit helen do të ishte Banka Qëndrore Europiane, si për faktin e ekspozimit direkt në titujt qeveritarë grek ashtu edhe për masat e mëtejshme qe duhet të marre në një rast të tille, në mbështetje të sistemit bankar të Kontinentit të Vjetër që do t’i duhet t’i përshtasë. Ndërkohë që do të shkaktohej demtim edhe për bankat europiane të cilat do të kishin nevojë për një rikapitalizim prej 160 miliardë euro. Instituti Ndërkombëtar i Financave është duke negociuar me Athinën në përfaqësimin e kreditorëve privatë, kryesisht banka, për te reduktuar borxhin publik të Greqisë që parashikon heqjen dorë në 53% të vlerës nominale të rimbursimit të titujve shtetëror dhe zëvendësimin e tyre me tituj të rinj me një skadencë afatgjatë dhe interes shumë të ulët. Një marrëveshje që pritet të përfshijë bankat dhe që duhet të mbyllet javën e ardhshme me paktin që duhet të marrin pjesë 66% e kreditorëve privatë. Gjithsesi, Greqia nuk mund të konsiderohet 100% e shpëtuar pavarësisht aprovimit javën e kaluar nga ana e Eurogrupit të paketës prej 130 miliardë euro dhe reduktimit me 53% të vlerës fillestare të emetimit të bonove greke nga ana e investitorëve privatë. Objektivi i këtyre masave është çuarja e borxhit publik në nivelin e 120% të PBB brenda 2020-ës.