Rritet tensioni në Maqedoni, shqiptarët braktisin shtëpitë

Nga protestat e maqedonasve kundër shqiptarëve
Dhuna në Shkup, arrestohen 14 persona, plagosen dy policë e tre civilë.
Tensionet etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve janë rritur në nivelin e atyre të vitit 2001,kur nisi lufta mes dy etnive më të mëdha në këtë vend. Me Marrëveshjen e Ohrit, Maqedonia arriti të evitojë luftën civile. Por tani situata është po aq kritike sa 11 vjet më parë. U desh formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Shqiptarëve për ti mbrojtur ata dhe për të tërhequr vëmendjen e diplomacisë ndërkombëtare për ti dhënë fund konfliktit. Ngjarjet e fundit në vendin fqinj, vrasjet e shqiptarëve dhe rrahjet e tyre prej maqedonasve, si dhe vrasjet e fundit të pesë personave në afërsi të Shkupit, për të cilët nuk është vërtetuar ende se ka pasur motive etnike, kanë ndezur situatën. Mediat raportojnë se shqiptarët kanë nisur të braktisin shtëpitë e tyre për të qenë më të sigurt për jetën. Rreth njëqind banorë shqiptarë të fshatit Radishan në afërsi të Shkupit i kanë braktisur tashmë banesat e tyre, nga presioni i maqedonasve. Grupe serbe tentojnë të sulmojnë gjatë natës familjet e tyre dhe disa banorë tregojnë se ka pasur tentativa të shpeshta për djegien e shtëpive të shqiptarëve. Të hënën u varrosën pesë maqedonasit e ekzekutuar nga të paktën tre persona të ndryshëm. Urrejtja e maqedonasve dhe sloganet e tyre kundër shqiptarëve, si ato Dhoma gazi për shqiptarët, Vdekje shqiptarëve etj. kanë acaruar situatën, sa ka pasur edhe përleshje mes etnive të ndryshme. Policia në Maqedoni tha se pesë persona, përfshirë dy oficerë policie, janë plagosur dhe katërmbëdhjetë persona janë arrestuar pas përleshjeve. Betejat etnike nisën mbrëmje e së hënës dhe vazhduan edhe në orët e para të së martës mes policisë dhe qindra të rinjve maqedonas në kryeqytetin Shkup, të cilët thërrisnin slogane kundër shqiptarëve, iu hidhnin gurë dhe mjete të forta policëve dhe dëmtonin ndërtesat përqark.
Fyle
Eurokomisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, ka kërkuar hetimin e plotë të vrasjes së pesëfishtë në Maqedoni, e cila ka rritur në nivel kritik tensionet etnike në këtë vend. Në një intervistë për televizionin çek, CTK, Fyle tha se Komisioni Europian nuk ka asnjë informacion se kjo vrasje ka natyrë etnike. Ai këshilloi mediat të shmangin shkrimet që nxisin konfliktet etnike. BE-ja dëshiron të arrijë sukses në anëtarësimin e Maqedonisë, ftoj mediat të fshijnë sloganet nacionaliste, u shpreh Fyle.
Mbin ushtria e re
Një ushtri misterioze ka kërcënuar të çlirojë tokat e pushtuara shqiptare. Në një deklaratë të botuar në mediat maqedonase, Ushtria e çlirimit të tokave të pushtuara shqiptare i dha qeverisë maqedonase një ultimatum që brenda dy javësh të tërhiqet nga tokat shqiptare, ose do të përballet me reprezalje. Ushtria ka njoftuar se ka vendosur në takimin e stafit të përgjithshëm se do të sulmojë policinë sllavo-maqedonase si dhe strukturat ushtarake, nëse nuk tërhiqet nga tokat e banuara me shqiptarë.