Britania do të dëbojë klerikun Abu Katada

Kështu ka njoftuar në parlamentin britanik ministrja e Brendshme Teresa May. Sipas saj, gjykatat britanike e kanë shpallur atë “njeri të rrezikshëm” për sigurinë kombëtare. Qeveria britanike thotë se ndërkohë ka marrë garancitë e duhura për të siguruar që deportimi i tij në Jordani është i ligjshëm.
Edhe pse fillimisht u tha se ai mund të largohej për në Jordani rreth datës 30 prill, ministrja e Brendshme ka paralajmëruar se apelimet, që tashmë kanë filluar, mund të zgjasin disa muaj.
Gjykatësit e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e kanë bllokuar deportimin e tij për në Jordani, pa pasur garanci ligjore.
Ministrja e Brendshme britanike ka udhëtuar së fundmi drejt Jordanisë, vendlindjes së klerikut radikal, për të marrë këto garanci dhe duket se ia ka arritur. Abu Katada është cilësuar si krahu i djathtë i Bin Ladenit në Evropë dhe ishte liruar me kusht në mes të shkurtit deri sot në mëngjes, kur është arrestuar sërish.
Abu Katada, i njohur si Omar Othman, ishte dënuar në mungesë në Jordani për përfshirjen e tij në sulme terroriste në vitin 1998.