Rama: Do ta mundim Metën bashkë me Saliun
Kreu i PS-së, Rama deklaroi dje nga Durrësi se “Meta e LSI-ja janë bashkë me Saliun në qeveri dhe duhen mundur në zgjedhje”. Rama ishte në dje në Durrës për mbledhjen e Asamblesë së zgjeruar të qarkut Durrës. Ai foli mbi rëndësinë që do të marrë çdo anëtar, por edhe çdo i zgjedhur i PS-së. “Do t’u japim një peshë më të madhe anëtarëve të partisë, forumeve dhe jetës së brendshme, për më shumë kohezion dhe pjesëmarrje në vendimmarrje. Asambleja e zgjeruar e qarkut dhe e rrethit janë forume që do t’i vëmë në funksion të plotë. Forume të cilat do të mblidhen sistematikisht”, - tha Rama në fjalën e tij. Fitorja e zgjedhjeve lokale në Bashkinë e Durrësit është cilësuar nga Rama si një fitore që pakkush e priste. E, duke vazhduar më tej arsyetimin, Rama ka orientuar anëtarët e kësaj asambleje për nevojën e një vetëdijeje për fazën e re ku e gjithë PS-ja ka hyrë, atë të shpenzimit të të gjitha energjive për organizimin. “Ta kthejmë jetën e partisë në një jetë aktive. Të krijojmë mundësi që të zgjedhurit e niveleve më të larta të kërkojnë llogari dhe të japin llogari. Të kemi brenda vetes kohezionin si një familje politike, duke pranuar dhe bashkëpunuar me njëri-tjetrin”, - tha Rama. Ai nuk ka lënë pa prekur edhe çështjen e një afrimi të mundshëm me LSI-në, duke hedhur poshtë në mënyrë kategorike çdo shpresë të tillë. “Nuk kemi asnjë kusht tjetër për të afruar njerëzit, përveç kushtit që të duan largimin e këtij pushteti dhe vendosjen e një demokracie funksionale. Vend në këtë parti ka për të gjithë. Në kushtet e një regjimi fashist mjafton të jemi të gjithë bashkë. Nuk kemi pse të kemi luhatje. Meta është me Saliun, tek Saliu, për Saliun. Jemi në opozitë për ta rrëzuar bashkë me Saliun”, - tha Rama.