E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e çmimit të bukës, Autoriteti i Konkurrencës nis hetimet

Autoriteti i Konkurrencës do të nisë hetimet në tregun e bukës. Në sitën e inspektorëve do të kalojnë të gjitha faturat e miellit gjatë muajve të fundit, për të provuar nëse rritja e çmimit të bukës është brenda kushteve të paracaktuar ose jo.

Sipas komisionerit të Autoritetit të Konkurrencës që nga janari deri në qershor në vendet nga ku importohet gruri ka pasur luhatje te vogla të çmimit dhe kjo është shfrytëzuar në mënyre abuzive nga importuesit e grurit në Shqipëri duke e rritur çmimin për prodhuesit e bukës në mënyrë artificiale. Nga monitorimet e këtij autoriteti, ndonëse ka pasur një rritje të vogël të çmimit të grurit, ajo është reflektuar në një masë më të madhe në Shqipëri dhe nga ana tjetër ka pasur dhe një rënie të vlerës së dollarit. Për më tepër një ditë më parë është shënuar një rënie e çmimit të grurit në bursë gjë e cila nuk është reflektuar nga operatorët tanë duke vazhduar edhe gjatë rritjen e çmimit për një kuintal miell. Nga konstatimet tona mund të them se dje dhe sot ka një rritje abuzive të çmimit të miellit dhe kjo përbën problem si për konsumatorët, por edhe tregtarët. Ka një situatë kur operatorët kanë filluar të keqpërdorin rritjen e çmimit në bursat ndërkombëtare në muajin korrik, është shprehur Koço Broka, komisioner i Autoritetit të Konkurrencës. Sipas Brokës, kërkohet angazhimi i të gjitha strukturave si drejtoria e doganave, ajo e tatimeve, inspektoriatet e ndryshme shtetërore për ti thënë stop abuzimit të fabrikave të miellit. Ky autoritet i cili mbron konkurrencën e lirë do të hetojë të gjitha subjektet, faturat që realisht nuk dëshmojnë atë çmim me të cilin ata deklarojnë se kanë blerë miellin nga importuesi. Monitorimi i faturave të miellit është një ndër objektivat tanë kryesorë. Po vihen re shenja të dukshme të abuzimit të çmimit nga operatorët. Në të tilla raste abuzimi, gjoba shkon nga 2-10 për qind të xhiros totale dhe në varësi të dëmit të shkaktuar për bizneset e tjera dhe konsumatorit, deklaroi Broka. Çmimi i bukës në Tiranë u rrit me 10 lekë në të gjitha furrat e bukës menjëherë sapo u paralajmërua nga disa prodhues buke. Pronarët e furrave tregojnë se bëhet fjalë vetëm për bukën 750 gramshe dhe jo për llojet e tjera. Nga 600 e bëmë 700, sapo morëm vesh që Rusia do ndalojë eksportin e grurit. Janë vetëm 100 lekë, por 100 lekë bën diferencën, shprehet një prej pronarëve. Sipas prodhuesve të bukës mësohet se në treg çmimi i miellit është 25 për qind më i shtrenjtë, çka bën që edhe kostoja për prodhimin e bukës të rritet me 10 lekë. Por jo të gjitha furrat e bukës janë detyruar të rrisin çmimin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›