Rritja e cmimit të energjisë, reagon Ministri Prifti
TIRANE-Ministri i Industrisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti eshte deklaruar sot për rritjen e cmimit të energjisë duke kërkuar nga Enti i Energjisë Elektrike të mbrojë konsumatorët. “ERE duhet të mbrojë konsumatorët. Enti është një institucion i pavarur, por jam i bindur se do të marrë vendimim më të mirë”, u shpreh Prifti në një prononcim për mediat sot rreth rritjes të cmimit të energjisë elektrike.
Në datën 2 Tetor, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) aplikoi pranë Entit Rregullator të Energjisë për rritjen e cmimit të energjisë elektrike për vitin 2010.
Pas dorëzimit, Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë Bujar Nepravishta u shpreh se ERE do të shyrtojë brenda një periudhe 12 ditore kërkesën e paraqitur në se ajo është konform rregullave dhe do të kërkojë OSSH të paraqesë brenda 10 ditëve treguesit për energjinë elektrike si dhe t'i publikojë tarifat në tre prej gazetave më të njohura në vend.
Pas kësaj periudhe, Nepravishta sqaroi se OSSH do të zhvillojë një seancë dëgjimore me të gjithë aktorët.
Dje ka qënë Partia Socialiste që reagoi për rritjen që pritet ti bëhet cmimit të energjisë. Në një deklaratë për shtyp, kjo parti përvecse vuri në dukje se kjo rritje do varfërojë buxhetin e popullit, kërkoi që të paktën të rishikohet subvencionimi i shtresave në nevojë. Kjo kërkesë, sipas PS duhet të merret menjëherë parasysh, pasi buxheti afatmesëm nuk e parashikon subvencionimin për raste të tilla.
(d.b/BalkanWeb)