Procesi ndaj Bujar Gashit, avokatët pritet të sjellin prova të reja në proces
Në seancën e radhës ndaj Bujar Gashit, avokati i bëri kërkesë kolegjit të Krimeve të Rënda që t’i japë disa ditë kohë pasi po përgatit prova të reja për t’i dorëzuar gjykatës. Gashi është cilësuar si një nga anëtarët e bandës së Durrësit dhe ndaj tij janë ngritur një sërë akuzash. Sipas mbrojtësve, këto prova do të jenë të rëndësishme për procesin që po zhvillohet ndaj klientit të tyre. Kërkesa e tyre u pranua duke u lënë seanca e radhës javën që vjen. Bujar Gashi, edhe pse është një nga të pandehurit e bandës së Durrësit, po gjykohet veçmas nga të pandehurit e tjerë. Gashi u ekstradua vetëm pak kohë më parë nga Italia. Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte ngritur ndaj tij akuzat për disa vepra penale si “vrasje në bashkëpunim”, “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “krijimit të organizatës kriminale”. Gashi rezultonte person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda, më datë 21 korrik të vitit 2008, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurimit “arrest me burg”. Edhe në procesin e Gashit dëshmitari më i rëndësishëm deri tani është cilësuar i penduari Adriatik Coli. Sipas burime, Coli ka deklaruar që Gashi ka marrë pjesë në vrasjen e Dritan Dishës, që ka ndodhur në vitin 2000 në Shën Vlash të Durrësit. Për këtë vrasje akuzohen si autorë të dyshuar Indrit Dokle, Adriatik Coli, Indrit Taullai, aktualisht të arrestuar edhe Bujar Gashi. Në bazë të hetimeve të prokurorisë rezulton se Tan Dishës i zunë pritë disa anëtarë të bandës së Durrësit. Mësohet se Indrit Dokle, Adriatik Coli, Indrit Taullai dhe Bujar Gashi ishin angazhuar për të vrarë Dritan Dishën. Indrit Taullai qëndroi 500 metra para personit që ishte caktuar për të qëlluar mbi Dishën, me qëllim që të sinjalizonte ardhjen e “shënjestrës”. Dyshohet se pas sinjalit të Taullait, e cila ishte një e shtënë pistolete, autorët afrohen dhe dallojnë dritat e një automjeti. Menjëherë ata kanë hapur zjarr mbi automjetin me të cilin po udhëtonte Tan Disha, duke bërë që makina të përfundojë në kanal. Më pas, ata i janë afruar sërish automjetit, duke zbrazur edhe një karikator automatiku prej të cilit Disha mbeti i vdekur në vend. Për këtë vrasje, prokuroria akuzon si autorë të dyshuar katër persona, mes tyre dhe të arrestuarin e dy ditëve më parë në Itali, Bujar Gashin, i cili pritet të ekstradohet për t’u përballur me akuzat që rëndojnë ndaj tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
18 Dhjetor 2009