Bezdis tjetrin me telefon, rrezikon nga gjobë deri në një vit burg
Laureta Rryçi
Nëse bezdisni dikë në telefon, si me fjalë fyese, ashtu dhe vetëm me zile, mos mendoni se mund t’ia hidhni kaq lehtë. Mjafton një kallëzim në prokurori nga personi që keni shqetësuar dhe menjëherë ndaj jush nisin hetimet për t’u provuar akuza. Sipas prokurorëve, raste të tilla ka pasur plot, kur shqetësime kanë sjellë jo vetëm meshkujt, por edhe femrat. Pas kallëzimeve të regjistruara në pjesën më të madhe të rasteve ka rezultuar se ankuesit kanë pasur të drejtë dhe pas kësaj, ai që ka shqetësuar me telefon është përballur me akuzën “përdorim të thirrjeve telefonike me keqdashje”. Kodi Penal për këtë vepër parashikon nga gjobë në shuma të ndryshme deri në një vit burg. Pas kërkesës së prokurorëve për ndëshkim, sipas rastit, u takon gjyqtarëve të japin verdiktin mbi këto ngjarje.
Shqetësimi
Sipas rasteve që janë regjistruar në prokurori, zakonisht shqetësimet ose kanë ndodhur mes dy adoleshentëve, mes personave që kanë lidhje dashurore, ose mes njerëzve që banojnë në të njëjtën zonë. Sipas rasteve dhe pranimit të fajit, gjykata ka dhënë vendimin. Në rastet kur shqetësuesit kanë qenë të mitur, dënimi ka qenë për të filluar një shkollë profesionale, si dhe detyrimin që për disa vite të mos kryejnë vepra penale. Në rastet kur shqetësuesi ka qenë i rritur janë dhënë dënime me gjobë dhe me kusht për t’u vënë në provë në mënyrë që të mos e përsërisin më të njëjtën vepër penale.
Pasojat
Në vendimet e dhëna nga gjykata thuhet se kjo vepër për të cilën akuzohen të pandehurit paraqet rrezikshmëri të vlerësueshme shoqërore pasi prek dhe cenon ato marrëdhënie juridike, të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga ligji penal. Por, në këto raste, gjykata, krahas vështrimit të përgjithshëm dhe teorik që parashikohet për këtë vepër penale, mban në konsideratë dhe çmon edhe subjektin e kësaj vepre penale, si dhe rrethanat e kryerjes së saj. Kështu, gjykata, krahas rrethanave rënduese që parashikon vepra, mban parasysh si rrethana lehtësuese për të pandehurin faktin që ai tregoi pendim të thellë, të parashikuar si e tillë nga Neni 48 i Kodit Penal. Duke pasur parasysh rrezikshmërinë e vogël të të pandehurit, shkallën e fajësisë dhe të rrethanave të kryerjes së veprës penale, gjykata çmon se aplikimi i neneve 59, 60 të Kodit Penal është mëse i përshtatshëm për të pandehurit që konsumojnë vepra të tilla penale.
Neni: 275
Titulli: Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike
Përmbajtja: Thirrjet telefonike keqdashëse që bëhen me qëllim për të prishur qetësinë e tjetrit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim deri në një vit.
18 Dhjetor 2009