E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda: Burg përjetë vrasësit të dy policëve

Laureta Rryçi

Burg përjetë për vrasësin e dy inspektorëve të Qarkullimit Rrugor të Kukësit. Gjykata e Krimeve të Rënda e deklaroi Afrim Hasanin fajtor për vrasjen me paramendim të dy punonjësve të policisë. Vetë i pandehuri nuk ka qenë i pranishëm në seancë kur është dhënë vendimi. Ndërsa avokati mbrojtës, në konkluzionet përfundimtare, kërkoi një masë më të lehtë dënimi, pasi klienti i tij e kishte kryer vrasjen në kushte të rënda të tronditjes psikike. Viktimat Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila mbetën të vrarë më 24 mars të këtij viti, në fshatin Shën Mëri të Kukësit.
Dy inspektorët e Qarkullimit Rrugor kanë qenë duke qëndruar në një prej lokaleve të fshatit, në pritje për të marrë detyrën. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së 24 marsit, autori i krimit, Afrim Hasani, është afruar dhe ka qëlluar në drejtim të dy punonjësve të policisë me breshëri automatiku. Më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Vetëm 12 orë pas ngjarjes policia vuri në pranga autorin e këtij krimi të rëndë. Afrim Hasani u gjet i fshehur në një pyll, pak kilometra larg qytetit të Kukësit, afër fshatit të tij. Në operacion morën pjesë dhjetëra forca policie të qytetit të Kukësit, Hasit, Pukës dhe forca speciale të RENEA-s të mbërritura nga Tirana.
Seanca
Prokuroria pretendoi se nga të gjitha provat e mbledhura rezulton se 34-vjeçari është autor i vrasjes me paramendim të dy efektivave të policisë. Për procedurë, pas konkluzioneve të prokurorit, thotë fjalën e fundit edhe pala mbrojtëse dhe më pas kolegji penal del në një vendim përfundimtar mbi të pandehurin. Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kryeqytet iu deshën 35 ditë kohë për të mbyllur fazën hetimore dhe për ta dorëzuar dosjen penale me të pandehurin Afrim Hasani në gjykatë. Ndaj Hasanit rëndojnë pesë vepra penale, mes tyre vrasja e dyfishtë e policëve Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila. Ndërsa avokati kërkoi një masë më të butë për klientin e tij. Kolegji penal, pasi ka dëgjuar të gjitha palët, vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë duke dhënë masën më të ashpër të dënimit, atë me burgim të përjetshëm.
Ngjarja
"Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se i pandehuri Afrim Hasani ishte me precedentë penalë që nga kthimi i tij nga Finlanda në fund të vitit 2007, ku kishte qëndruar atje emigrant për disa vite. Pas kthimit nga emigracioni, autori i vrasjes së dy efektivave të policisë jetonte me gruan dhe dy vajzat e mitura në fshatin Petkaj të Kukësit. Me t'u kthyer në vend ai është akuzuar dhe më pas dënuar me 4 muaj burg për falsifikim të akteve të gjendjes civile. Pas daljes nga burgu ai është njohur si konsumator i alkoolit”, - lexoi midis të tjerave prokurori i çështjes, duke shpjeguar rrethanat që sollën ngjarjen e rëndë. Më tej, sipas akuzës, ngjarja ka vijuar me një kontrolli të bërë nga ana e policisë, ku dhe Afrim Hasani i është kundërpërgjigjur me zjarr, duke lënë të vdekur në vend dy efektivat e rendit. Ngjarja ndodhi pas një konflikti të lindur midis autorit dhe dy punonjësve të policisë, pasi ata e kishin kallëzuar Afrim Hasanin. Ky i fundit rezultonte person me precedentë të mëparshëm penalë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës për kundërshtim të punonjësve të policisë dhe shkatërrim të pronës së tjetrit. Dy inspektorët e policisë u qëlluan me breshëri automatiku ndërsa ata ndodheshin në një lokal në fshatin Shën Mëri. Pas krimit autori u fsheh në një pyll pranë fshatit të tij, ku u gjet pas disa orë kërkimesh.

18 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›