E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e kuotave. Vetem ne UT 6000 studente te rinj

6000 studentë të rinj do t’i shtohen auditorëve të universitetit të Tiranës. Një shifër kjo më e lartë se nje vit më parë, ndërkohë që prioritet këtë vit ju është dhënë degëve si mësuesia apo atyre të shkencave të natyrës. Këtë deklaratë e bën publike për Albanian Screen rektori i universitetit të Tiranës, Dhori Kule.

“Politikat e rritjes së pagave e kanë dhënë efektin e vet, që nxënësit e mirë kanë filluar të preferojnë degë të mësuesisë. Maturantëve që presin të vijnë në universitete mesazhi i parë pozitiv u vjen që në përgjithësi ka kuota të shtuara dhe Universiteti i Tiranës ka të tillë. 6 mijë janë në ciklin e parë. kemi pastaj ciklin e dytë dhe ciklin e tretë që realizohen në një fazë tjetër”- thotë Kule.

Krahas shtimit të kuotave për vitin e ri akademik sipas rektorit të UT-së duhen edhe pedagogë. Mbi 100 intelektualë i duhen stafit pedagogjik për ta mbajtur konstant raportin pedagog– student, por kjo kërkon dhe fond pagash më shumë i cili nuk përballohet dot me të ardhurat e universitetit.

“Kemi nevojë për shtesë pedagogësh, por kjo shtesë është e lidhur me probleme buxhetore. Në momentin që ne do të kemi problemin e buxhetit të zgjidhur për mbulimin e fondit të pagave. Fakultetet i kanë bërë kërkesat dhe këtu jemi në rakordim me ministrinë e Arsimit për të zgjidhur këtë problem të shtimit të numrit, kombinuar me fond pagash”- shton Kule.

Aktualisht pranimet në universitete bëhen në bazë të meritë- preferencës, duke u mbështeur në rezultatet e maturës shtetërore, por për degë të veçanta fakultetet mund të vendosin edhe kritere seleksionuese.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›