Rritja e pagave dhe e pensioneve, në fuqi që nga muaji i ardhshëm

Kryeministri Sali Berisha sqaron se, marrëveshja me FMN parashikon mbajtjen e borxhit nën kontroll, jo “mos rritjen e pagave”
Mbledhja e djeshme e Këshillit të Ministrave kishte si kryefjalë “rritjen e rrogave dhe pensioneve”, duke filluar nga muaji i ardhshëm. Duke e konsideruar këtë si prioritetin e Ekzekutivit në shqyrtimin e buxhetit në muajin korrik, Berisha siguroi qytetarët se qeveria është e vendosur të rrisë pagat e pensionet dhe se për këtë nuk ka asnjë marrëveshje me FMN-në që do mund ta frenonte.
“Qeveria do të rrisë pagat e pensionet. Rritja e pagave e pensioneve politik e domosdoshme, është një investim në burimet njerëzore”, tha kreu i qeverisë.
Ai nënvizoi se gjithë këto vite janë dyfishuar pensionet e ulëta dhe se do të vazhdohet me përparësi rritja e pagave e pensioneve dhe e konsideroi këtë një lajm të veçantë. “Kryefjala e kësaj mbledhjeje do të jetë rritja e rrogave dhe pensioneve. Pas shqyrtimit të gjithë problematikës buxhetore dhe buxhetit është vendosur që të rriten rrogat e pensionet, në përputhje me parashikimin. Kjo si një politikë e domosdoshme, si një investim, së pari, në burimet njerëzore, por edhe si ndjeshmëri ndaj 520 mijë pensionistëve shqiptarë, të cilët meritojnë të marrin shumë më tepër nga ç’është e mundur. Ndonëse, si asnjë qeveri tjetër në Europë, në një hark kohor të shkurtër, ne kemi mbi dyfishuar pensionet e ulëta dhe krahas këtij mbi dyfishimi, ne vazhdojmë rritjen me përparësi të rrogave të ulëta, por edhe pagave mesatare, sikundër do të bëhet indeksimi i pagave të larta. Ky është një lajm shumë i veçantë, sepse ky vendim merret në një kohë kur jo rritja, por ulja e madhe e rrogave është rregulli i kësaj kohe, për shkak të krizës ekonomike financiare”, u shpreh Berisha.
Kryeministri tha se Shqipëria, modeli i saj ekonomik përballoi me sukses pasojat e krizës. “E kam theksuar dhe e theksoj se Shqipëria, modeli i saj ekonomik, përballi me sukses pasojat e krizës. Modeli i saj ekonomik, i përcaktuar nga reformat e qeverisë, shmangën recesionin. Nuk ka dyshim se pasojat e krizës së madhe europiane janë ndjerë në ekonominë shqiptare, por, pavarësisht nga pasqyrimi i tyre, ato nuk kanë arritur të përkthehen me recesion dhe kjo sepse, ekonomia shqiptare është e vendosur mbi parime shumë të shëndetshme”, tha Berisha.
Sipas tij, është arritur të rriten pagat mesatare gati me dy fish. Rroga mesatare ka qenë 230 dollarë është sot 520 dollarë. Është rritur mbi 100 për qind rroga mesatare, janë dyfishuar rrogat e ulëta. Berisha tha se ne shpenzojmë për rroga 6 për qind të GDP-së dhe se vendi ynë ka një meritë të jashtëzakonshme për reformat.
“Ekonomia po rritet se ne kemi krijuar lehtësitë më të mëdha fiskale. Investimet e huaja kanë njohur rritje 10 herë, turizmi po ashtu është zhvilluar, të gjitha këto kanë bërë që modeli ekonomik i Shqipërisë të funksionojë”, nënvizoi kreu i qeverisë Berisha.
Ai ka hedhur poshtë të gjithë hamendësimet se po anashkalon FMN-në.
“Të gjitha komentet që bëhen se qeveria s’po dëgjon FMN-në janë trillime. FMN e ka bërë të qartë suksesin e Shqipërisë, suksesin e reformave ekonomike në Shqipëri. Në treguesit makroekonomikë, si borxhi, inflacioni dhe deficiti buxhetore, luajaliteti dhe vendosmëria e qeverisë është absolute për t’ju përmbajtur treguesve të shpallur. Ne nuk rrisim borxhin, ndaj bëjmë një rishikim të buxhetit. Borxhi nuk do të rritet. Ne me FMN-në kemi firmosur një marrëveshje për mos rritje të borxhit, jo për mos rritje pagash. Ndaj ne nuk po shkelim dhe nuk do të shkelim asnjë marrëveshje, ne nuk po shkelim ndonjë marrëveshje për rritje taksash”, deklaroi kryeministri Berisha.
Ai tha se marrëdhëniet e qeverisë me FMN-në janë shumë të mira dhe se FMN është një partner i shkëlqyer.
“Borxhi do të mbahet nën kontroll, por pagat e pensionet do të rriten”, tha Berisha.
Më tej ai tha se do të rriten investimet, do të ndërtojmë infrastrukturë moderne, do të ndërtojmë telekomunikacion modern. Ne kemi nevojë për biznesit dhe nuk mund të rrisim taksat për ta. Urbanizimi i vendit do të rritet. Niveli i papunësisë po ulet.
Ai tha se shkurtimet në buxhet do të bëhen, por nuk mund të preken pagat e pensionet.