Rritja e pagave dhe pensioneve, 12 miliardë lekë kosto për buxhetin
Rritja e pagave dhe pensioneve do të ketë një efekt financiar prej 12 miliardë lekësh në buxhetin e shtetit. Iniciativa e qeverisë për rritjen nga 2-12 për qind për pagat dhe rritjen e pensioneve nga 4-10 për qind do të balancohen me uljen e investimeve
publike në masën 25 për qind. Por tkurrja e investimeve do të pasqyrohet me pakësimin e të ardhurave nga tatim-taksat, boshllëk të cilin qeverisë do ti duhet ta mbulojë me borxhe. Deri tani buxheti i shtetit ka borxh 60 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Në listën e borxheve është shtuar dhe Eurobondi i brendshëm, i cili thithi nga bankat tregtare në vend 25 milion euro. Ndërkohë Ministria e Financave pohon se rritja e pagave dhe pensioneve reflekton situatën tërësisht pozitive të financave publike të vendit dhe e cilëson atë si një instrument efikas në shpërndarjen me eficente të burimeve financiare të vendit, në mbështetje të rritjes ekonomike përmes shpejtimit të investimeve dhe rritjes së kërkesës konsumatore në treg.
Rritja e pagave dhe pensioneve
Rritja e fundit e pagave dhe pensioneve nga qeveria zbatoi një nga pikat e programit të saj për vitin 2010, vlera vjetore e të cilave arrin në shumën 12 miliardë lekë. Sipas Ministrisë së Financave nga kjo rritje pensionesh dhe pagash, do të jenë 540 mijë pensionistë që do të marrin një pension shtesë në harkun e një viti, rreth 50 mijë punonjës të arsimit që do të marrin 30 mijë lekë të reja shtesë nga kjo rritje e pagave ose 80 për qind shtesë rrogë e plotë mujore, si dhe do të jenë 30 mijë mjekë dhe infermierë që do të marrin një pagë shtesë në vit. Sipas të njëjtave burime në muajin qershor, të ardhurat e realizuara në dogana ishin 2.3 miliardë më të larta se qershori i një viti më parë, ose 28 për qind më shumë, si dhe 4 për qind më të larta se programi fillestar i këtij viti. Ndërkohë që eksportet Made in Albania për të njëjtën periudhë ishin 9.3 miliard lekë nga 3.7 miliard lekë në qershorin e vitit 2009, ndërkohë që eksportet manifakture janë 22 për qind më të larta se njëjta periudhe e vitit të kaluar. Gjithashtu, janë rreth 18 mijë të punësuar me shumë në 6 mujorin e parë të këtij viti.
Investimet publike
Ministria e Financave bën të ditur se investimet publike për pesë mujorin e parë të këtij viti ishin 26 miliardë lekë të reja, ndërkohë që huamarrja në fund te 5 mujorit është vetëm 12 miliardë lekë. Kjo do të thotë që janë financuar me të ardhurat nga tatimet e taksat më shumë se 50 për qind e investimeve. Që nga viti 2005 e në vijim, buxheti i shtetit shqiptar është në suficit primar, që do të thotë se huatë dhe borxhet e mara nga qeveria shkojnë 100 për qind për të financuar investimet publike, të tilla si rrugë, shkolla, ujësjellës, spitale etj. Njëkohësisht, 40 për qind e investimeve financohen nga të ardhurat e arkëtuara nga Ministria e Financave dhe institucionet në varësi të saj. Sipas të njëjtave burime mësohet se në këtë kuadër, deficiti vjetor jo vetëm që është se paku 30 për qind më i ulët se mesatarja e 8 viteve të qeverisjes së socialistëve, por do të vijojë të ulët më tej më masat që se shpejti qeveria do ti propozojë Kuvendit. pa prekur atë që tashmë është publikuar, rritjen e pagave dhe pensioneve, dhe mbështetjen e investimeve publike. Pasqyra financiare e publikuar nga Ministria e Financave erdhi si kundërpërgjigje për kreun e opozitës, i cili dy ditë më parë pasqyroi para shqiptarëve një realitet krejt tjetër.
Përfituesit
540 mijë pensionistë, rritje 4-10 për qind
50 mijë punonjës të arsimit, rritje 10 për qind
30 mijë mjekë dhe infermierë, një pagë shpërblim
Rritja e pagave
Paga minimale rritet me 5. 6 për qind
Paga maksimale rritet me 2 për qind
Paga për shërbimin civil 4- 7 për qind
Paga në ushtri 2- 7 për qind
Pagat e mjekëve 12 për qind
Pagat e infermierëve 10 për qind
Pagat për mësuesit 10 për qind
Ornela Manjani