E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e pagave dhe pensioneve me pikëpyetje, borxhi nuk u mor në masën e duhur



Ervin KOÇI

Pagat dhe pensionet e një pjese të shqiptarëve do të rriten nesër, por jo në masën e premtuar nga qeveria. Kjo e fundit do të zbatojë një skenar krejt të ndryshëm nga ai që u premtua nga kryeministri Berisha disa kohë më parë për rritje deri në 15 për qind të pagave dhe pensioneve. Ministria e Financave ka programuar vetëm një rritje që do të nisë nga 7-10 për qind si për buxhetorët ashtu dhe për pensionistët. E gjitha kjo lidhet me mosmarrjen nga ana e qeverisë e sasisë së kërkuar të borxhit në tregun e brendshëm bankar. Shuma prej 25 milionë eurosh nuk u arit të merrej e gjitha. Bankat private pasi negociuan me Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Financave, arritën që t’i japin kësaj të fundit vetëm 17.5 milionë euro nga 25 të kërkuara. Por nga sa mësohet prej burimeve të MF-së, më i rëndësishëm se sa sasia e parave për qeverinë ishte përqindja e interesave dhe koha e kthimit të kredisë, pasi këto ishin thelbësore për çështjen e borxhit të brendshëm. “Për përqindjet e interesave dhe kohën e shlyerjes së borxhit është negociuar më shumë me bankat vendase, pasi kjo interesonte më shumë se sa thjesht sigurimi i parave në masën e duhur”,- thanë dje burime nga MF-ja. Sipas të njëjtave burime është konfirmuar edhe fakti se, “Ministria e Financave, nga 25 milionë euro të kërkuara, ka pranuar rreth 70 për qind të ofertës së bankave, nisur nga ofertat e shumave dhe interesat e kripura”. Në këtë mënyrë qeveria arriti të marrë borxh në valutë në tregun vendas, me interes jo më të lartë se 6.2 për qind (maksimumi), normë kjo që konsiderohet pozitive nga MF-ja.

Ankandi
Edhe pse nga ana e qeverisë ankandi i emetimit të eurobondit në tregun e brendshëm bankar u konsiderua si pozitiv, mbetet të shikohet efekti dhe realizimi i qëllimit për të cilin ai është marrë. Sipas MF-së, pjesëmarrja e bankave të interesuara në këtë ankand ishte e gjerë dhe ofertat të ndryshme, në varësi të shumës dhe interesit. Në ankand kishte edhe banka që ofronin shuma që varionin nga 2-5 milionë euro, por duke parë luhatjet e përqindjeve të interesit MF-ja u mjaftua me tërheqjen e vetëm 70 për qind të ofertës së bankave. Norma e interesit u konsiderua si pozitive nga MF-ja, pasi ajo ishte diçka më tepër se interesi i depozitave për afate 9-mujore. Kredia është pjesë e financimit të buxhetit për vitin 2010. Vlera e saj (ekuivalente në lekë) është parashikuar në buxhet, nën zërin e huamarrjes së brendshme për të financuar deficitin.

Kredia
Kjo shumë parash në valutë që qeveria realizoi dy ditë më parë në formën e ankandit dhe që pret ta marrë sot, megjithëse nuk është në nivelin e pretenduar përsëri në vetvete është një borxh që pas pak kohësh duhet të shlyhet. Afati 9-mujor është përcaktuar si një afat-ekuilibër midis nevojave të bankave dhe atyre të Ministrisë së Financave. Pra bankat do ta investonin këtë likuiditet jashtë vendit me afat të ngjashëm, ndërkohë që edhe cikli i MF-së për sigurimin e financimit dhe shlyerjes përputhet me këtë afat. Nga MF-ja mësohet se në këtë ankand kishte një pjesëmarrje të konsiderueshme të bankave të nivelit të dytë. Por MF-ja nuk iu bën publike të dhënat e tjera të ankandit si dhe emrat e bankave që morën pjesë në të. Skeduli i ankandeve publikohet në fillim të vitit dhe është në përputhje me financimin e deficitit buxhetor.

Ekspertët: Kredia e ka shumë të shkurtër kohën e shlyerjes

Ekspertet e ekonomisë ngrenë alarmin, se kredia e marre nga shteti shqiptar prej 17.5 milionë eurosh me një interes 6.2% në një kohë të shkurtër, do të ndikoje negativisht në xhepat e shqiptarëve. Sipas tyre, shifra edhe pse nuk është e madhe, ka një kohë shlyerjeje të huasë shumë të shkurtër, gjë që shton detyrimet që kanë shqiptarët për të paguar investimet publike. Specialistet janë përqendruar më tepër te fenomeni i huamarrjes me një normë të lartë interesi, dhe të limituar në kohë. Një tjetër ekspert ekonomie, Zef Preçi, thotë se kjo shifër është e pakonsiderueshme për xhepat e tatimpaguesve. E zënë ngushtë për para, e pasi dështoi të merrte eurobondin në tregun ndërkombëtar, qeveria shqiptare realizoi gjithçka me bankat e nivelit të dytë. Vetëm dy ditë para hyrjes në fuqi të vendimit për rritjen e pagave dhe pensioneve, ajo detyrohet të marrë borxh në bankat e nivelit të dytë. Këto banka i siguruan ekzekutivit, nëpërmjet ankandit në Bankën Qendrore 25 milionë euro, nga të cilat ajo mori vetëm 17.5 milionë me një interes prej 6.2%. Kjo shumë i lëvrohet ekzekutivit pikërisht në afatin kur ka premtuar rritjen më të madhe të pagave dhe pensioneve, e në kushtet e mungesës së të ardhurave në buxhetin e shtetit, kur borxhet e vendit janë rritur e deficiti është thelluar.

Ekonomia botërore rrezikon sërish krizën

Ekonomia botërore rrezikon sërish rënien në krizë. Ky është alarmi që jep Banka e Rregullimeve ndërkombëtare e cila pohon në një deklaratë se botës i kanoset sërish rreziku për krizë nëse qeveritë nuk i japin fund menjëherë planeve të mbështetjes së ekonomike dhe politikave monetare favorizuese. "Efektet dytësore të kurave intensive për shëndoshjen e ekonomisë botërore të bashkuara përballë rreziqeve që vazhdojnë të ekzistojnë në sistemin financiar dhe të zbatuara në një periudhë kaq të gjatë nuk do të mungojnë të krijojnë rreziqe për një rënie tjetër në krizë", theksoi BRI-ja në raportin e saj vjetor. Banka qendrore që mbikëqyr bankat kryesore në botë theksoi se programet në mbështetje të tregjeve dhe bankave kanë krijuar një varësi, të cilën sistemi financiar rrezikon ta ketë të vështirë ta kapërcejë. Ajo theksoi gjithashtu se ekonomia botërore është bërë gjithashtu më e dobët për shkak të rreziqeve që ekzistojnë përsëri mbi bankat të kërcënuara nga një krizë e sektorit imobiliar tregtar (dyqane, zyra...) që mund të shkaktojë me të vërtetë humbje të tjera në sektorin financiar. "Mund të arrijmë në atë që orientimi drejt sektorit imobiliar tregtar të sjellë humbje të tjera", paralajmëroi BRI-ja e cila zhvilloi këtë fundjavë asamblenë e saj vjetore.

Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 28.06.2010
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 3.75%
12M 12-mujor 6.92%
6M 6-mujor 6.10%
3M 3-mujor 5.33%
1M 1-mujor 5.13%
1Ë njëjavor 4.63%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.61%
1Ë njëjavor 6.32%
o/n njëditor 5.89%
12M 12-mujor 8.76%
6M 6-mujor 7.82%
3M 3-mujor 7.01%

30 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›